Datën e zgjedhjeve e dikton vendimi për EULEX-in e Tribunalin
Përbërja aktuale e Kuvendit nuk do të vetëshkarkohet pa vendosur për mandatin e ri të EULEX-it, po kështu edhe për gjykatën që do të merret me krimet e luftës që pretendohet të jenë kryer nga UÇK.
Lajme
Legjislatura aktuale do të vendosë mbi dy çështje para se ta shpërbëjë veten, si parakusht për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Do të marrë vendime për EULEX-in edhe Tribunalin, shkruan gazeta “Koha Ditore”.
Për rrjedhojë, edhe data e zgjedhjeve të parakohshme do të diktohet nga zhvillimi i negociatave ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Bashkimit Evropian përkitazi me të dyja çështjet.
PDK-ja dhe LDK-ja, dy subjektet më të mëdha politike, kishin planifikuar për javën e shkuar të harmonizonin qëndrimet për një agjendë veprimesh që duhej ndërmarrë deri në shpërndarjen e Kuvendit.
Por, atë nuk e kanë hartuar akoma. Kjo për shkakun që Qeveria nuk i ka finalizuar ende negociatat me BE-në për mandatin dhe misionin e ri të EULEX-it, e po kështu as për Tribunalin që do të gjykojë krimet që pretendohet të jenë kryer nga UÇK-ja, shkruan “Koha Ditore”.