Datë e Fortë Historike

Partia e Fortë çeli në mesnatë fushatën e saj për zgjedhjet e 3 nëntorit. Ajo konkurron vetëm në Prishtinë, me Visar Arifajn dhe me kandidatët për Asamblenë Komunale. Presin lajme të mira më 3 nëntor.

Lajme

03/10/2013 13:17

Partia e Fortë ka vërtetuar fortesinë e pashoqe edhe një herë, duke qenë e partia e parë politike që hapi fushatën elektorale në vend.

Hapja e fushatës u bë në mesnatën që bashkon të marten me të mërkuren, njofton Zyra për Media dhe Propagandë e Partisë së Fortë.

“Kryetari i Partisë së Fortë, Visar Arifaj, ka nisur fushatën zgjedhore me një fjalim elektrizues para simpatizantëve”.

“Data 3 tetor është datë historike. Data 3 nëntor është datë kronologjike”, ka thënë ai në zë të holluar nga heliumi që thithte nga balonat aty pranë, njofton Zyra e kësaj partie.

“Nën brohorimën ‘Kryetar, lexhendar!’ nga qytetarët dhe qytetareshat e ekzaltuar, Arifaj vizionar u zotua që Partia e Fortë do të vazhdoj të premtoj në këtë muaj të shenjtë për të gjitha partitë politike në vend deri në fitoren bindëse”.

“Pas fjalimit nga kryetari janë ndezur edhe fishekzjarret gjithandej barit Shallter në Prishtinë, ku është mbajtur hapja e fushatës zgjedhore. Poashtu, votuesit patën fatin të shijojnë talentin dhe kreativitetin unik të nënkryetarëve në fushën e muzikës karaok, ku ata prezantuan këngët e vjetra qytetare prishtinase”.

“ LDK dhe AAK po ashtu kanë festuar hapjen e fushatës në mesnatë, praktikë kjo jo dhe aq e zakonshme për partitë politike në Kosovë”.