Dashuria në zyrë- mos u dashuro me shefin

Imagjino sikur të shohësh vazhdimisht dy kolegë që largohen nga puna bashkë, ose që drekojnë gjithmonë bashkë.

20/01/2019 09:04

Më pas dëgjon fjalë për ta, ndërsa një ditë tjetër i sheh në sjellje që lenë për të dyshuar.

Romanca në zyrë, është një temë e cila krijon gjithmonë shumë debate. Në Shqipëri nuk ka statistika të sakta, por padyshim që në botë është një fenomen shumë i përhapur.

Por a nuk është zyra vendi më perfekt për të njohur njerëz ? Pjesa më e madhe e njerëzve punojmë më shumë se 48 orë në javë dhe është e imagjinueshme sa na lehtëson kjo miqësimin me kolegë. Pastaj janë konceptet e reja të “team building” që nxisin marrëdhëniet e mira mes kolegëve dhe bashkëpunime të ngushta. Një tjetër faktor është që në një mjedis pune kolegët kanë background, pasione dhe të ardhura të ngjashme.

Pra, nga një anë kemi këtë vend fantastik për njohje, por nga ana tjetër dashuritë në punë nuk janë të para me sy të mirë. Kjo sepse merakosemi për favore, për nepotizëm, rritje në detyrë apo influencë për arsye personale. Mëri dhe tension midis kolegëve mund të rriten duke ndikuar negativisht në dinamikat e një ekipi. Gjërat komplikohen ende më shumë kur shefi del me një vartëse.

Në zyrë, situatat për vajzat apo gratë kanë standarde të dyfishta. Nëse del me një koleg atëherë mund të përhapet fjala që je një vajzë e thjeshtë. Nëse del me shefin mendojnë që favorizohesh, por nëse prishet marrëdhënia jote me shefin atëherë mund të humbasësh dhe punën, shkruan tabu.al. Nga ana tjetër duket sikur marrëdhëniet që lindin në zyrë, nëse kanë përfundim serioz mund të shihen me sy pozitiv dhe dashamirës nga gjithë ekipi.

Dekadat e fundit dhe për shkak të ngacmimeve në punë, ka nxjerrë politika të sakta rreth marrëdhënieve me kolegë. Disa kompani e lejojnë, disa të tjera nuk e lejojnë, disa e lejojnë por jo me shfaqje fizike në ambientet e punës.

Më duket sikur romancat apo marrëdhëniet që lindin ne vendin e punës janë më të vështira për t’u menaxhuar. Në fund të fundit je me partnerin në shpi dhe punë. Ju çfarë mendoni ?