DASH: Shqipëria në rrugë të mirë

Zv/ndihmës sekretari i Departamentit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Hoyt Yee vlerësoi pozitivisht masat që ka filluar të marrë Shqipëria për dekriminalizmin e Parlamentit.

Lajme

10/04/2015 23:01

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Yee u bëri thirrje qeverisë dhe partive politike në tërësi që kjo prirje e nisur të vazhdojë.

“Shqipëria ka arritur përparim të madh gjatë viteve të fundit drejt realizimit të synimit të saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe integruar në institucionet euro-atlantike.

Përmirësimet drejt krijimit të një shteti ligjor kanë qenë shumë të dukshme dhe për t’u përshëndetur. Kohët e fundit kemi parë masa për të dekriminalizuar Parlamentin dhe ne mendojmë se ky është një zhvillim shumë pozitiv.

Ne i kemi përshëndetur publikisht qeverinë dhe partitë për përpjekjet e tyre për të çrrënjosur korrupsionin brenda vetë partive, për të larguar anëtarët e partive dhe të Parlamentit që dyshohen për korrupsion. Kjo është shumë e rëndësishme dhe ne shpresojmë që kjo prirje do të vazhdojë.

Shqipëria duhet të vazhdojë të luftojë korrupsionin që të realizojë endrrën e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, jo vetëm në Parlament, por në të gjitha fushat e qeverisjes, në gjithë institucionet qeveritare, në të gjitha nivelet.

Duhet të ketë një mesazh të qartë në të gjitha nivelet e shoqërisë, që askush nuk është mbi ligjin, që shteti ligjor duhet të sundojë. Shqipëria duhet të plotësojë standardet evropiane në mënyrë që të realizojë aspiratat e saj”, u shpreh zyrtari i lartë amerikan. / Top Channel