DASH: Nënshkrimi i MSA-së, moment historik

Mediat amerikane e vlerësojnë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit si moment historik të Kosovës në rrugëtimin drejt familjes evropiane. 

Lajme

02/11/2015 20:26

 

Agjencia Amerikan i lajmeve Associated Press dhe portalet e mediave kryesore të shkruara dhe vizive në SHBA kanë njoftuar si për nënshkrimin e Kosovës të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian, ashtu edhe për ratifikimin nga ana e Parlamentit sot, duke e vlerësuar këtë një moment historik për rritjen ekonomike të vendit dhe rrugëtimin drejt familjes evropiane.

“Parlamenti 120 anëtarësh votoi me 86 vota për ratifikikimin e Marrëveshjes nënshkruar javën e kaluar në Strasburg të Francës, marrëveshje që hapë rrugën për anëtarësimin përfundimtar dhe të plotë në BE, partnerin kryesor tregtar të Kosovës,” thuhet në këto njoftime.  Më tej nënvizohet se ‘opozita e bojkotoi votimin duke kërkuar që qeveria të heqë dorë nga marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit e ka quajtur nënshkrimin e marrëveshjes ‘një moment historik për Kosovën në rrugëtimin e saj drejt Europës dhe integrimeve euro-atlantike.’

“Ne mirëpresim këtë marrëveshje dhe e urojmë udhëheqjen dhe popullin e Kosovës për punën e madhe në arritjen e këtij synimi,” thuhej në përshëndetjen e qeverisë amerikane. /RTK