Dardan Molliqaj, politikan apo seleksionues i ëndrrave

Politika në Kosovë nuk e ka kohën për ta humbur për t’u marrë me Dardan Molliqajn, i cili si në librin e Kadaresë “Pallati i Ëndrrave” i jep përparësi ëndrrës ndaj realitetit

Lajme

14/04/2017 15:13

Ka kohë që Dardan Molliqaj sheh ëndrra dhe interpreton ato në zyrën e tij të famshme me idenë e përmbysjes së shtetit të Kosovës si projekt ndërkombëtar e vendor. Tabir Saraji apo Pallati i Ëndrrave të quajtur Vetvendosje, vazhdon të lansojë e punojë në diskreditimin e shtetit të Kosovës në konceptin e krijimit të tij. Ai vazhdon me aktivitete për ta realizuar ëndrrën e synimit të përmbysjes së shtetit të Kosovës si projekt siç e quan ai ndërkombëtar. Në këtë kontest, duhet shikuar edhe konferencën e djeshme të tij e që kishte të bënte me Policinë e Kosovës dhe gjoja kontrollin e saj nga krerët e një mekanizmi që nuk ekziston thuajse që një dekadë.

Si duket, dega e seleksionimit të ëndrrave që e udhëheqë Molliqaj brenda këtij pallati, këtë rradhë kishte gjetur Policinë e Kosovës për ta goditur, pasiqë kanë vlerësuar se kështu janë më afër realizimit të konceptit të ri të tyre për shtetin, të bazuar në ëndërr gjithsesi. Bota sipas Molliqajt po del të jetë si në veprën e Kadaresë, ku veçon rëndësinë e ëndrrave dhe rolin që kanë luajtur me fatet e shteteve e të sundimtarëve dhe pse ato të mos ta luajnë edhe sot në Kosovë. Profeti Molliqaj, i specializuar për të lexuar e artikuluar ëndrrat, po nxjerrë të vërtetën absolute dhe si duket vetëm ai ka të drejtë të vendosë se mbi kë kësaj rradhe bie kumti. Politika në Kosovë nuk e ka kohën për ta humbur për t’u marrë me Dardan Molliqajn, i cili si në librin e Kadaresë “Pallati i Ëndrrave” i jep përparësi ëndrrës ndaj realitetit.

Fashizmi i ëndrrave të mbledhura e shqyrtuara tregon stalinizmin e pavetëdijes se duke goditur institucione arrihet tek koncepti i ri i ndërtuar në Pallatin e Ëndrrave për shtetin. Zoti Molliqaj, shteti i Kosovës është projekt i përbashkët, i cili lidhet me vullnetin e popullit shumicë për demokraci, liri e integrime europiane, euroatlantike e rajonale dhe është krijuar bashkë me botën demokratike. Koha si në ëndrra për krijimin e shteteve të izoluara e të mbyllura si koncepte politike ka përfunduar qe një shekull. Ne të gjithë duhet të punojmë për të rritur cilësinë e qeverisjes e mbi të gjitha për drejtësinë si vlerë e jo për kopallat që çojnë në prishje të institucioneve për t’i shërbyer koncepit të ri, që mbase në botë ekziston vetëm një klasik e për të cilin e dini se cili është, pra Koreja e Veriut.

Spektakli i Molliqajt në ditën e vizitës së dy burrave që përfaqësojnë shtetet më të fuqishme të botës.

Konferenca për shtyp e Dardan Molliqajt për të goditur institucionet e vendit nuk ishte e rastësishme dhe për çudi u bë në ditën kur në Kosovë për vizitë ishin senatori amerikan mjaft me ndikim John McCain dhe ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel. Mesazhet politike të këtyre politikanëve shumë me ndikim ishin të qarta për Kosovën, politikën e saj dhe qytetarët tanë, e që kanë të bëjnë me të ardhmen tonë si shtet. Për çudi, në Pallatin e Ëndrrave, u vendos që të zbehen e dobësohen këto mesazhe dhe si se?

Në të gjitha këto raste del në skenë dega e seleksionimit të ëndrrave dhe hudhë ato në opinion e mbase qëllimi është i qartë. Mundësisht të zbehen mesazhet që vijnë në Kosovë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania, pasiqë ato forcojnë idenë e shtetit të Kosovës si projekt i përbashkët vendor e ndërkombëtar. Konsideroj që zyrat e famshme që merren me gjumin, ëndrrat e seleksionimin e tyre, nuk kanë vend në botën e re. Ato i takojnë së kaluarës e koha është për të punuar për të ardhmen.