Daniel Serwer: Ironia e Beogradit me FAK

Në një shkrim të tij, Daniel Serwer shprehet se prapa shifrës së 5 mijë ushtarëve të Forcës së Armatosur të Kosovës qëndron pikërisht rreziku nga kërcënimi serb ndaj Kosovës dhe këtu ai e sheh ironinë më të madhe të kundërshtimit të Beogradit ndaj kësaj force.

Lajme

07/03/2014 20:30

Analisti Amerikan, Daniel Serwer, thotë se Serbia vazhdon të paraqesë kërcënimin më të madh për sigurinë e Kosovës.

Në një shkrim të botuar në blogun e tij, Serwer shprehet se prapa shifrës së 5 mijë ushtarëve të Forcës së Armatosur të Kosovës qëndron pikërisht rreziku nga kërcënimi serb ndaj Kosovës dhe këtu ai e sheh ironinë më të madhe të kundërshtimit të Beogradit ndaj kësaj force.

Ai nuk beson se çështja e FAK’ut do të zë vend në agjendën e Këshillit të Sigurimit të OKB’së, me siguri për shkak të situatës në Ukrainë dhe përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje diplomatike

“Supozoj se fuqitë në New York do të vendosin se këshilli i Sigurimit ka punë më të rëndësishme për të bërë aktualisht”, ka thënë Serwer.

“Ky është një moment i rëndësishëm për Kosovën, ku forca paqeruajtëse e NATO’s… do të vazhdojë ta bëjë të njëjtën gjë që e ka bërë që nga viti 1999, edhe më tej në komunat veriore”.

“Kosova, e pavarur që nga viti 2008, gradualisht po i merr atributet e sovranitetit, në përputhje me Planin e Ahtisaarit. Forcat e Armatosura janë një nga prioritetet në atë plan. Ato do të krijohen në bazë të rishikimit të sektorit të sigurisë, të bërë së fundmi, i cili mori për bazë kërcënimet dhe aftësitë për t’u përballur me to”.

“Ekziston një ironi e thellë në brengën e Beogradit rreth themelimit të një ushtrie në Kosovë. Refuzimi i Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës dhe kërkesat e vazhdueshme për sovranitet ndaj Kosovës përbëjnë kërcënimin më të madh sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Kosova duhet ta rrisë ushtrinë e vet për t’u përballur me këtë kërcënim, së paku për një javë, aq sa i duhet NATO’s për t’i ardhur në ndihmë”.

“Beogradi mund t’ia humbë Kosovës argumentin për një ushtri prej 5 mijë pjesëtarëve nëse ajo e bën atë që Bashkimi Europian ia kërkon para anëtarësimit: vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore duke e njohur Kosovën dhe duke shkëmbyer ambasadorët. Disa kosovarë madje mund ta mirëprisnin këtë për shkak të kursimeve që do t’i bënte reduktimi i madhësisë së Forcës për shkak të rrezikut më të vogël. Edhe Beogradi do të kursente ca para”.

“Çështja e ushtrisë së Kosovës është diçka që Beogradi dhe Prishtina duhet ta diskutojnë, krahas madhësisë dhe aftësisë së ushtrisë së Serbisë, por jo në OKB, madje as në bisedimet e sponsoruara nga BE në Bruksel. Është koha e duhur që ato t’i diskutojnë këto çështje të shqetësimit direkt të dy kryeqyteteve, dhe jo të BE’së apo SHBA’ve”.

“Unë do të sugjeroja që ata të takohen në nivel të shefave të ushtrive apo Ministrave të Mbrojtjes. Fqinjët, sidomos ata që kanë bërë luftë dikur, duhet t’ia kuptojnë shqetësimet e sigurisë njëri- tjetrit. Kjo është pjesë e marrëdhënieve të mira fqinjësore”, ka thënë Serwer.