Dallojmë nga të tjerët

Sipas Ramush Haradinajt, koha kur AAK do ta marrë në dorë qeverisjen e komunave dhe tërë vendit po vjen. Ai tha se po punon që ta sjellë “lajmin e mirë” për Prizrenin.

Lajme

19/10/2013 11:51

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj ka mbajtur takime të shumta me qytetarë të trevave të Prizrenit, Gjonaj, Zhur, Korishë e Piranë, me të cilët kanë bashkëbiseduar rreth alternativës së vetme qeverisëse për Prizrenin në zgjedhjet e 3 Nëntorit, koalicionin AAK-LDD.

“Shumë kohë më parë më pyesnin pse po interesohesh kaq shumë për Prizrenin, edhe përkundër mbështetjes jo të madhe që ke në këtë anë, dhe përgjigjja ime ka qenë gjithmonë: S’ka ardhë ende dita!”.

“Lista e të këqijave që ka bërë kjo qeverisje është shumë e gjatë, dhe nuk kemi pse të humbim kohë duke i ritheksuar ato, por do t’i përmirësojmë do t’i zgjidhim shumë probleme njëherë e përgjithmonë”, ka thënë Ramush Haradinaj.

“Ne po punojmë që të sjellim sa më shpejtë lajmin e mirë për Prizrenin, dhe për Kosovën. Ne dallojmë nga të tjerët, sepse distanca nga ajo që e themi dhe ajo që e bëjmë është shumë e shkurtër, dhe përgjigjet i marrin shumë shpejtë, ne nuk do t’i mashtrojmë qytetarët, por do të jemi të vërtetë”.

Ndërsa kandidati i koalicionit AAK- LDD për Prizrenin, Lulzim Kabashi ka thënë se synimi i tij është që sa më shumë të rinj të gjejnë punë.

“Ne do të sjellim ndryshimin, programi ynë do të sjellë ndryshimin për Prizrenin dhe qytetarët e tij. Ndryshimi ynë do ta dërgoj Prizrenin përpara”.

“Ne do t’i ndryshojmë qasjet ndaj problemeve, ne do t’i zgjidhim problemet, por ato zgjidhje do të jenë të qëndrueshme, e jo siç ka ndodhur deri më sot”, ka thënë Kabashi.