Dallim i madh ndërmjet Kosovës dhe Krimesë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rassmusen, hedh poshtë krahasimet ndërmjet Kosovës dhe Krimesës. Sipas tij, Kosova ishte shumë afër gjenocidit, kur komuniteti ndërkombëtar vendosi të ndërmarrë aksione në vitin 1999.

Bota

22/03/2014 14:15

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, i ka hedhur poshtë arsyetimet që dëgjohen shpeshherë nga zyrtarët e lartë të Rusisë, se zhvillimet në Krime janë të ngjashme me rastin e Kosovës.

“Ekziston dallim i madh ndërmjet Kosovës dhe asaj që ne po e shohim në Krime. Më lejoni t’ju përkujtoj se në Kosovë, ne ishim shumë afër te ajo që unë do ta konsideroja gjenocid. Përfundimisht, shumë vonë, por përfundimisht, komuniteti ndërkombëtar ndormori aksion dhe prej atëherë aksioni ynë e ka bazën në rezolutën e Këshillit ntë Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha Anders Fogh Rasmussen, duke folur mbrëmë në Forumin e Fondit Marshall në Bruksel.

Mëtutje, ai ka theksuar se aktualisht, “i gjithë vizioni ynë për Evropën si të tërë, e lirë dhe në paqe, është në pikëpyetje” dhe ka shtuar se Krimeja nuk është incident i izoluar. Sipas tij, kjo ndodhi pas modelit të sjelljeve me “presion ushtarak dhe konflikte të ngrira në fqinjësinë tonë: në Transdniestri, Oseti Jugore, Abhazi dhe tash Krime”.

“Ajo që i lidhë këto kriza është një vend i madh, që ka vendosur në mënyrë unilaterale t’i rishkruaj rregullat ndërkombëtare, gjatë natës dhe në mënyrë të vet, duke rikrijuar linja të reja ndarëse në Evropë, 25 vjet pasi njerëzit e lirë të Evropës i patë fshirë ato”.

(Evropa e Lirë)