Dallaveret bllokojnë tenderin 10 milionësh për spitalin e Ferizajt

Kur gjithçka dukej të kishte përfunduar dhe Ferizaj do të bëhej me spital, janë ngritur dyshime të reja për dallavere të Ministrisë së Shëndetësisë me tender.

Lajme

14/04/2017 11:31

Pesë kompani kanë deponuar ankesa në Gjykatën e Tenderëve, siç njihet ndryshe Organi Shqyrtues i Prokurimit për shkelje të evidentuara në procesin e përzgjedhjes së kompanisë fituese.

Ato dyshojnë se Ministria e Shëndetësisë pa të drejtë ka shpërblyer me tender rreth dhjetë milionësh konzorciumin “FAVOR ING & AS ING & ÇLIRIMI” për ndërtimin e Spitalit në qytetin e Ferizajt.

Gazeta Fjala mëson se deri më tani për këtë tender janë ankuar “Alko-Impex”, “Pevlaku sh.p.k”, “Arbëria com” dhe “Olti Trasing & Beni Com”, si dhe kompania “Al-Trade”.

Kjo e fundit ishte shpërblyer dy herë me tender edhe pse në garë kishte kompani që ofronin çmim më të lirë.

Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik pas shkeljeve të evidentuara e ktheu procesin në pikën zero.

Në të dyja rastet pati disa kompani që shtruan pretendimet e tyre përmes ankesave në OSHP.

Ndërkohë, prej 20 kompanive sa ishin në garë, 7 prej tyre kishin ofruar çmim më të lirë se kompania fituese.

2p

Ish-zyrtarja e kompanisë në komision e Ministrisë

Por vendosja për një kompani me çmime më të shtrenjtë nuk ishte shkelja e vetme.

Në komisionin vlerësues, Ministria e Shëndetësisë e pati vendosur ish-zyrtaren e kompanisë “Al Trade”. Bëhet fjalë për Donjeta Berisha-Reçica, e cila sipas dokumenteve që posedon Gazeta, është njëra prej katër anëtarëve që ka vendosur në tenderin për “Ndërtimin e spitalit në Ferizaj”.

Berisha-Reçica vite më parë në “Al Trade” kishte ushtruar detyrën e zyrtares në administratë dhe ngritë dyshimet për konflikt interesi në këtë proces. Në dokumentacionet që ka siguruar gazeta, Reçica prezantohet si anëtare e komisionit vlerësues, me përgatitjen profesionale “inxhiniere e diplomuar”.

Sipas kontratës së publikuar nga Ministria e Shëndetësisë më 16 nëntor 2016, punimet për ndërtimin e këtij spitali parashihej t’i bënte kompania “AL-TRADE”. Por nuk kishte shkuar shumë kohë si dhe tenderi ishte anuluar.

1p

Përpjekja e dytë e Ministrisë se Shëndetësisë

Pasi procesi u kthye në piken zëro, Ministria e Shëndetësisë vendosi që tash projektin t’ia besoj tri kompanive tjera në garë. Përkatësisht operatorëve ekonomik, “FAVOR ING” & “AS ING” & “ÇLIRIMI”.

Madje në kontratën të bërë publike në Komisionin Rregullativ, thuhet se tenderi milionësh nga ana e këtyre kompanive pritet të nënshkruhet me 31 mars të këtij viti.

Megjithëkëtë tenderi sërish është bllokuar në Gjykatën e tenderëve. Kjo ndodhi pas ankesës se disa prej kompanive në garë me pretendimin se u është bërë e padrejtë.

Kujtojmë se Agjencia Kundër Korrupsionit kohë më parë i kishte bërë dy opinione negative për procedurat e prokurimit të ndjekura nga Spitali Regjional i Ferizajt, ku flitej për anën e “errët” të procedurave tenderuese nga ky autoritet kontraktues.

Ndryshe, projekti i ndërtimit të spitalit do të jetë 3 vjeçar. Ai do të ndërtohet afër Parkut të Lirisë, lokacion ky i caktuar nga Kuvendi i Komunës së Ferizajt. /Gazeta Fjala/

3p