Dalja nga e tashmja e rrezikshme

Emri i betejës kryesore politike dhe ekonomike në vend është ky: Sigurimi i një jete të zakonshme për qytetarët e Kosovës.

Opinion

18/03/2015 14:41

Frank Knight, një ekonomist i shquar amerikan, që është themelues i ‘Shkollës së Çikagos’ në ekonomi, njërës ndër më të njohura në Perëndimin e Shekullit XX, në shpjegimin e pikëpamjeve të tij për rrjedhat ekonomike në një vend, bën një dallim thelbësor të dukurive të rrezikut dhe të pasigurisë.

Rreziku përbën tërësinë e ngjarjeve problematike që na presin në ekonominë e një vendi, të cilat janë pak a shumë të parashikueshme. Si të tilla, ato thërrasin për një mobilizim shtesë të shtetit, të Qeverisë, për tu përballur si duhet me këto probleme, për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme për to.

Pasiguria për Knight-in, në një shoqëri të organizuar vjen në trajtë të mungesës së parashikimeve të qëndrueshme për sprovat që janë në ardhje e sipër. Çfarë dihet pra është që telashet po mbërrijnë në një vend, në ekonominë e saj, por gjithçka tjetër është çështje e hapur, apo, nuk ka informacione të bollshme të cilat do të mundësonin që të artikulohet qartë një sfidë, dhe që më pas, ajo të trajtohet si duhet.

Në psikologji, siç e dimë, ky dallim vjen në trajtë të veçimit të frikës dhe të ankthit. Në shëndetësi, kjo ndodhë midis sëmundjeve që tashmë janë të njohura, të listuara, të cilat si të tilla kanë ilaç, dhe atyre të rejave, që ende janë pa emër dhe pa shërim.

Poqëse do të aplikohej ky kategorizim i Frank Knightit për dallimin në mes të rrezikut dhe pasigurisë, duket që këndejpari, në Kosovë, në pranverën e këtij viti, si politikë dhe si shoqëri, ne hasim në një dyzim të te dy dukurive: të rrezikut dhe të pasigurisë. Si gjithmonë, jemi Sui Generis.

Në njërën anë pra, ka njohuri të mjaftueshme për shumë prej sprovave kryesore politike dhe ekonomike, të cilat ose tashmë banojnë ndër ne, apo kamë prerë buletën e mbërritjes në shoqërinë kosovare. Tashmë dihet që është çështje javësh dhe më së shumti, disa muajsh, kur Kuvendi i Kosovës do të detyrohet të vendosë për Pakon ligjore që adreson themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar, të cilat mëtojnë të përmbyllin temat dhe akuzat e hapura nga Raporti i Dick Marty-t.

Për çdo ditë, në anën tjetër, po i përjetojmë grevat e llojllojshme, të sindikatave të ndryshme, ku kërkohen kushte më të mira, rroga të më larta, prej punëtorëve të thjeshtë deri tek gjykatësit.

Së shpejti do të kemi një dyndje të re, kësaj here, prej Perëndimit në Kosovës, të mijëra shqiptarëve të Kosovës, të cilët do të kthehen në vendin e tyre pas dështimit të sigurimit të azilit në Evropë.

Gjithsesi këtu nuk duhet harruar edhe situatën ende të padefinuar me kthimin e deputetëve dhe ministrave të komunitetit serb në institucionet qendrore të Kosovës.

Në anën tjetër, nuk është fort e qartë se si do të ndodhë adresimin dhe zgjidhja e të gjitha këtyre dukurive që sipas kategorizimit të Night-it, përbëjnë ngjarjet e parashikueshme që në vete barten rrezikun për stabilitetin politik dhe ekonomik të një vendi.

Rëndom, cilësia në përballjen me këto sprova, kërkon jo vetëm institucione funksionale, por edhe ndërmarrje të atij karakteri që mundëson një mobilizim shtesë shoqëror, i cili, për shembull, shihet goxha shpesh ndër ne, kur një fëmijë fatkeq, me sëmundje të rëndë, varet tërësisht nga solidariteti i qytetarëve të rëndomtë, të cilët me një donacion simbolik prej një Euro, bëjnë çudira në shërimin e një fëmije.

Aktualisht, duket që Kosova nuk ka as organizimin e duhur institucional, nuk ka të artikuluar publikisht shqetësimin me ngjarjet e rrezikshme të cilat janë lehtë të parashikueshme, dhe as nuk ka mekanizma të cilat do të mund të përdoreshim për atë mobilizimin shoqëror, të cilat (mekanizma), ta zëmë, i kemi pasur në vitet e nëntëdhjeta, gjatë kohës së okupimit të rëndë.

Për më keq, kemi një rënie të madhe të vullnetit dhe të besimit politik ndër qytetarët e thjeshtë, që në Kosovë mund të vijmë në vete, dhe të mbërrijmë në stadin e një jete normale. Zaten, ky është emri i betejës kryesore politike dhe ekonomike në vend: Beteja për një jetë të zakonshme.

Nëse duam të mbërrijmë në këtë cak, nëse njëmend duam të hymë në ardhmëninë e projektuar që prej se jemi bërë shtet, atëherë duhet të dalim nga kjo e tashme që është prodhuese e vazhdueshme e pasigurisë në këtë shtet.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)