Dalin para gjykatës të akuzuarit për tregti me kallashnikovë

Miftar Dobraj, Artan Kelmendi dhe Daniell Prenrecaj janë paraqitur sot në Departamentin e Krimeve të Rënda për t’u përballur me akuzat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për krim të organizuar lidhur me trafikimin e armëve.

Lajme

04/04/2018 23:55

Pas leximit të aktakuzës, të pyetur rreth deklarimit të fajësisë, të akuzuarit Miftar Dobraj dhe Artan Kelmendi kanë deklaruar se do të pranojnë të hyjnë në negociata për pranim të fajësisë me kushtin që vepra penale e krimit të organizuar të rikualifikohet.

Përveç kësaj vepre penale, Kelmendi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Ndërkaq, Daniell Prenrecaj, në seancën e sotme u deklarua i pafajshëm.

Lajmin për KALLXO.com e bëri të ditur avokati i Prenrecajt, Nikë Shala, i cili shpreson se Gjykata do të pushojë procedurën penale ndaj të mbrojturit të tij.

“I mbrojturi im, Daniell Prenrecaj, nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën e akuzon PSRK. Konsideroj se nga hetimet e zhvilluara nga ana e Prokurorisë me asnjë provë të vetme nuk është dëshmuar se klienti im ka ndërmarrë ndonjë veprim inkriminues në këtë çështje. I mbrojturi im nuk ka pasur ndonjë marrëveshje apo ndarje të roleve me të pandehurit e tjerë, apo ndonjë përfitim material. Kjo dëshmohet edhe nga përgjimet telefonike, të hyrat financiare dhe provat tjera të cilat gjenden në shkresat e lëndës, e të cilat e argumentojnë pafajësinë e klientit tim”, tha Shala.

I akuzuar në këtë rast është edhe Dren Mulla, i cili ngarkohet me veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.

Mulla ka pranuar fajësinë për këtë vepër penale.

Në qershor të vitit 2017, KALLXO.com shkroi se si një operacion i rrufeshëm i Drejtorisë për hetimin e trafikimit të narkotikëve pranë DKKO në Prishtinë rezultoi me zbulimin e  strukturës së një grupi të dyshuar kriminal që vepronte në Republikën e Kosovës, Republikën e Çekisë dhe në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në shkurt të këtij viti, KALLXO.com kishte shkruar për dosjen e Prokurorisë Speciale ku përshkruhet e gjithë kronologjia e ngjarjes që rezultoi me aktakuzë ndaj Dobrajt, Kelmendit dhe Mullës.

15 armë, prej tyre 14 “AK 47” dhe një antitank, që përshkruhen në aktakuzën prej 13 faqeve të Prokurorisë Speciale të Kosovës janë arsyeja e një hetimi që vazhdoi me zbatimin e masave të fshehta për simulimin e blerjes e ku u përfshinë Policia e Kosovës, DEA në ShBA dhe në fund rezultoi me ngritjen e aktakuzës ndaj 3 personave në Kosovë ndërsa procedura po vazhdon ndaj njërit në ShBA.

Duke përdorur arsyetimin se armët ishin të destinuara për luftërat e përgjakshme të narko-karteleve meksikane, hetuesit i ranë në gjurmë një grupi për të cilin tani me aktakuzë po pretendohet se ka kryer krim të organizuar lidhur me veprën e trafikimit me armë.

Miftar Dobraj, Artan Kelmendi dhe Daniell Prendrecaj po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se duke vepruar si një grup i organizuar kriminal në krye me ish vozitësin e Konsullatës së Kosovës në Nju Jork, Albert Veliu, ndaj të cilit është duke u zhvilluar procedura në ShBA, kanë kryer veprën penale të trafikimit me armë.

Ky i fundit përpos që po përmendet në aktakuzë si kreu i grupit, ishte shofer në Konsullatën e Kosovës në Nju Jork.

Sipas aktakuzës, gjatë muajve prill-maj 2017 në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një agjent i DEA-s në zbatimin e masave të fshehta ka lidhur marrëveshjen me Albert Veliun për blerjen e 15 armëve automatike, gjoja se për narko kartelet në Meksikë me çmim prej 900 dollarë për copë dhe për këtë i ka paguar gjithsej 13,500 dollarë.

Nga kjo shumë e parave, sipas aktakuzës, Veliu më 23 maj 2017 i ka dërguar 2 mijë dollarë të akuzuarit Miftar Dobraj si parapagesë ndërsa më 4 qershor ka ardhur edhe vetë në Kosovë.

Duke ndjekur kronologjinë e ngjarjes aktakuza përshkruan se më 28 qershor pas marrëveshjes paraprake me oficerin e Policisë së Kosovës që ishte duke zbatuar masën e fshehtë të blerjes së simuluar në koordinim me policinë amerikane, i pandehuri Artan Kelmendi së bashku më Albert Veliun kishin arritur në parkingun e një restoranti në Klinë me një veturë të marrë më qira dhe nga bagazhi i saj kanë nxjerrë 6 armë të gjata “AK 47” dhe një karikator të zbrazët për armë të gjata.