Daka: Zgjedhjet lokale të komplikuara, KQZ e gatshme për organizimin e tyre

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ka deklaruar se institucioni që ajo drejton është i gatshëm të organizojë zgjedhjet lokale.

Lajme

26/06/2017 09:21

Në një prononcim për Ekonomia Online, Daka madje ka deklaruar se zgjedhjet lokale janë më të komplikuara, pasi sipas saj ato zakonisht përfundojnë me balotazhe.

“Duke pasur parasysh që për këto zgjedhje i kemi pasur vetëm 30 ditë ky katër muajshi po na duket si pushim, por ato zgjedhje janë më të komplikuara, sepse janë zgjedhjet për asamble, për kryetar komune me siguri do të ketë ballotazh. Pra dy fletëvotime është pak proces më i komplikuar, sigurisht kjo kohë optimale do të bënë që ne të përgatitemi për zgjedhjet e radhës”, ka thënë Daka.

Sa i përket buxhetit ajo ka treguar që për zgjedhjet lokale është ndarë një buxhet prej 6.2 milionë euro.

“Buxheti i paraparë është 6.2 milionë që nuk do të thotë që do të përdoret i gjithë ai buxhet, por ky është buxheti i paraparë për zgjedhjet lokale”, është shprehur ajo.

KQZ në mbledhjen e radhës vendosi që për votues të hargjohen 0.5 euro.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 23 tetor, kjo është vendosur menjëherë pas kërkesës së përfaqësuesve të partive politike dhe dekretimit nga presidenti i vendit Hashim Thaçi.