Daka: Votat e pavlefshme, pasojë e mosinformimit

Nga zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit dolën më shumë se 52 mijë vota për pavlefshme.

Lajme

12/06/2017 18:51

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ka thënë për Ekonomia Online se kjo ka ndodhur për shkak të mosinformimit të duhur të votuesve.

Ajo është arsyetuar me kohën e shkurtër që kishin në dispozicion për përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Kjo ndodhë gjithmonë kur kemi afate të shkurta; mosinformimi i duhur, apo edhe siç thuhet edukimi i votuesve të rinj, sepse kemi pasur më shumë se 100 mijë votues të rinj dhe besoj që shumica prej tyre nuk e kanë pasur shumë të qartë se si duhet të votohet dhe kjo është njëra prej arsyeve”, ka thënë ajo.

Pavarësisht kësaj, kryetarja e KQZ-së vlerëson se ky proces zgjedhor ka qenë më i miri i mbajtur ndonjëherë në Kosovë.

“Nuk kemi pasur probleme, aty ndonjë incident i vogël që është diçka normale, por në përgjithësi unë mund të them që këto zgjedhje kanë qenë zgjedhjet më mirë të organizuara ndonjëherë”, tha ajo.

Numërimi i votave “të rregullta” pothuajse ka përfunduar; duhet të numërohen dhe votat me kusht dhe ato të ardhura nga diaspora. Kurse certifikimi i rezultateve do të ndodhë pas ankesave që do t’i shqyrtojë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka shpjeguar Daka.

Valdete Daka ka konfirmuar se mandati i saj në krye të KQZ-së përfundon më 16 qershor 20017 (pra edhe 4 ditë). Por, presidenti i Republikës mund ta emërojë atë përsëri në krye të KQZ-së.