Daka: Ndërkombëtarët e vërtetuan, ka shkelje në emërimet në gjyqsor

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar dhe ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë reaguar sot në lidhje me zhvillimet e fundit sa i përket emërimeve nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të Kryetarit të Gjykatës së Apelit, si dhe të Kryetarit të Gjykatës Supreme.

Lajme

25/08/2017 13:30

Dy ambasadat kanë njoftuar se kanë sugjeruar KGJK-në për përmirësimet që do të mund t’i bëj në procedurat për emërim, në mënyrë që të jenë më të besueshme, shkruan Indeksonline.

Ky reagim vije pas emërimit të Hasan Shalës në krye të Apelit dhe Enver Pecit në krye të Gjykatës Supreme të Kosovës, për çka kishte reaguar edhe gjyqtarja e Supremes, Valdete Daka, e cila kishte thënë për Indeksonline se me këtë emërim janë bërë disa shkelje.

Ndërsa sot Daka në një prononcim për Indeksonline tha se sot ambasadat e vërtetuan atë që ajo po e thotë vazhdimisht sa i përket emërimeve në sistemin e drejtësisë.

“Ato që thanë ambasadat vetëm sa e kanë vërtetuar atë që unë vazhdimisht po e them, që parimi i meritokracisë nuk është duke u vlerësuar dhe KGJK edhe me vendimin e dytë nuk i ka përmbushur të gjitha kërkesat nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e që është të vlerësohen meritat e secilit kandidat”, theksoi Daka.

Sipas saj, ashtu siç kanë thënë edhe ambasadat, nuk është e mjaftueshme që vetëm të thuhet që i kanë përmbushur kërkesat e Gjykatës Kushtetuese, por edhe që një gjë e tillë të bëhet në praktikë.

“Realisht dhe objektivisht kandidatët duhet të vlerësohen edhe në bazë të vlerësimeve objektive e pastaj të vendoset, por jo në bazë të numrave. Dikush mund t’i siguroj numrat dhe të përzgjidhet, por jo në bazë të vlerësimit. Gjyqësori nuk është politikë e as Kuvend apo parlamenti ku fiton ai që i ka numrat, por në gjyqësor duhet të vlerësohet në bazë të meritave dhe punës së kandidatëve, e jo në bazë të klaneve që veprojnë brenda”, tha tutje Daka.

E pyetur se a do të dërgoj në Kushtetuese këtë rast, ajo tha se nëse ka bazë për një gjë të tillë, natyrisht që do ta bëj.

“Do ta shoh nëse ka bazë për dërgimin në  Kushtetuese, por ajo mund të vije në përfundim se ata e kanë edhe  vendimin e Këshillit Gjyqësor dhe mund të thotë që nuk janë përmbushur parimet e meritokracisë në aktgjykim”, përfundoi Daka, transmeton Indeksonline.

Indeksonline ka tentuar disa herë që të marr edhe mendimin e kreut të KGJK-së, Nehat Idrizi sa i përket zhgënjimit që kanë ambasadat ndaj këtij institucioni, por kontakti me të ishte i pamundur pasi telefoni i tij është i fikur.

Sot gjatë ditës edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, nëpërmjet një deklarate thotë se ka vërejtur se përzgjedhja e kryetarëve të këtyre dy gjykatave nuk u parapri nga një diskutim substancial mbi përshtatshmërinë e kandidatëve për pozitën, përderisa arsyetimit të vendimeve të përzgjedhjes nga ana e Këshillit i mungojnë argumentet bindëse.

Në deklaratën e Zyrës së BE-së, thuhet se Gjykata Kushtetuese, e cila anuloi procesin e mëparshëm të përzgjedhjes, konstatoi se mekanizmi i aplikuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për të nominuar një kandidat për postin e kryetarit të Gjykatës Supreme dhe kryetarit të Gjykatës së Apelit, nuk ka garantuar mjaftueshëm një proces të barabartë, të hapur dhe të bazuar në merita.