Daka mohon se KQZ-ja po ndikohet nga politika

Valdete Daka thot se KQZ nuk është bërë pjesë e lojërave politike duke mos bërë pazare politike me askënd. Sa i përket rezultatit përfundimtar, ajo ka thënë se do të certifikohet në momentin kur të sigurohen se nuk ka më asnjë ankesë.

Lajme

19/06/2014 20:13

Daka mohon çdo mundësi se institucioni që ajo drejton po ndikohet nga politika. Thotë se nuk po vonohen me rezultatet dhe siguron qytetarët se nuk janë pjesë e asnjë pazari politik, raporton KTV.

Ajo bëri të ditur se në momentin e parë që do të sigurohen se nuk kanë asnjë ankesë, do të bëjnë certifikimin zyrtar të rezultateve.

Por, organizatat jo-qeveritare që prej më shumë se 10 ditësh po monitorojnë nga afër procesin e numërimit dhe rinumërimit, megjithëse nuk dëshirojnë të spekulojnë, thonë se zvarritje të tilla nxisin edhe dyshime se edhe KQZ-ja, sikurse të gjitha institucionet tjera në Kosovë, nuk i ka shpëtuar ndikimit të politikës.

Në anën tjetër Albert Krasniqi, hulumtues në KIPRED, ka kërkuar të hetohet edhe rasti se si rrodhën rezultatet e kandidatëve, ende pa u certifikuar rezultati zyrtar nga KQZ-ja.

Ndërkohë, Valdete Daka, ka thënë se institucioni që ajo drejton është i gatshëm t’i mbajë edhe zgjedhjet eventuale të jashtëzakonshme sepse e kanë obligim, por tha se është çështje tjetër se sa sfiduese do të jenë ato për KQZ-së.