Në vërejtjen se në muajt e fundit ka bërë deklarata në formë ultimatumi lidhur me çështjen e Kosovës, si kur thotë, se do të tërheq nënshkrimin nga Marrëveshja e Brukselit, Daçiq tha se “sipas të drejtës ndërkombëtare nuk ka asnjë rast që të respektohet vetëm një pjesë e marrëveshjes së nënshkruar, siç është rasti me Marrëveshjen e Brukselit”.
“Kjo është arsyeja pse unë thashë: ‘ose vlen gjithçka, ose nuk vlen asgjë’! Dhe unë qëndroj prapa kësaj”, tha Daçiq.
Ai shton se, nuk është i sigurt se deri ku është arritur në rrugën deri te një zgjidhje.
“Mendoj se nuk janë të sigurtë as ata që po i udhëheqin këto negociata. Por, është e rëndësishme të bisedohet”, tha Daçiq.
Qëllimin që numri i vendeve që e kanë njohur Kosovën të reduktohet “nën 100 ”, Daçiq e shpjegon si shifër figurative, por sqaron se qëllimi i ofensivës diplomatike të Serbisë nuk është që të arrihet te një numër i caktuar, por, siç thotë ai, të tregojë se procesi i pavarësisë së Kosovës nuk është i përfunduar dhe se mund të shkojë në drejtimin tjetër.
“Në Kombet e Bashkuara janë 193 anëtarë, dhe numri duhet të arrihet nën gjysmën e atij numri. Presidenti Vuçiq vazhdimisht më thotë se kjo që po bëjmë është tmerrësisht e bezdisshme dhe irrituese për fuqitë e mëdha, sepse për ata kjo është punë e kryer. Mirëpo, për ne nuk është e përfunduar, prandaj po punojmë në atë drejtim”, shpjegon Daçiq.
I pyetur nëse Serbia, pas mbrojtjes në UNESCO, ka diplomaci të përgatitur që të përballet edhe me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, i cili po zhvillohet në rrethana gjithnjë e më vështira, Daçiq tha se, ministria e drejtuar nga ai i ofron mbështetje logjistike presidentit Vuçiq, duke shtuar se “për herë të parë në historinë e Serbisë po zhvillohet një betejë e organizuar diplomatike”.
“Shumë gjëra nuk i bëj publikisht për shkak të presionit të madh të vendeve të huaja. Kur një fuqi e madhe i dërgon protestë çdo vendi që tërheq njohjen e Kosovës, atëherë pyesni, çfarë partnerësh strategjikë dhe miq jemi, nëse na bëjnë këtë. Po zhvillohen beteja të vështira, por nuk mund të bëhet beteja nëse nuk jeni i vendosur ta fitoni”, tha Daçiq.
Shefi i diplomacisë serbe thotë se ka arsye për të luftuar, “sepse Serbia ka hyrë në bisedimet e statusit neutral në Bruksel, dhe se qëllimi i mirë dhe konstruktiviteti i Beogradit në negociatat me Prishtinë është keqinterpretuar, nëse mendohet se zgjidhja e problemit është njohja e pavarësisë së Kosovës”. /Telegrafi/