Daçiq thotë se nuk e ka ftuar Thaçin për takimin në Beograd

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiqi ka deklaruar se nëse Serbia lejon që Hashim Thaçi të arrijë në Serbi në cilësinë e ministit të Jashtëm të Kosovës, atëherë do të shkelej politika shtetërore e Serbisë ndaj Kosovës.

Lajme

19/04/2015 12:24

“Ai si ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës nuk mund të vijë në Serbi”, tha Ivica Daçiq, në intervistën për gazetën Politika, botimi i së dielës, duke shtuar se “nëse këtë e lejojmë, ne e shkelim politikën tonë shtetërore për Kosovën”, transmeton REL.

Ai ka shprehur pakënaqësi që Hashim Thaçi, në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve të rajonit, është paralajmëruar si ministër i Qeverisë së Kosovës pa yll.

“Kur unë kam shkuar në Graçanicë, kam shkuar si pelegrin, për shkaqe fetare, dhe kam shkuar me thirrje të Thaçit”, tha Daçiq, shpjeguar se ai “nuk e ka thirrur” Thaçin dhe, sipas tij, “situata është e qartë si kristali”.

Daçiq e ka përmendur rastin kur Aleksandar Vullinit, para do kohe, të cilit nuk i është lejuar shkuarja në Kosovë si ministër i Punës në Qeverinë e Serbisë.

Duke iu referuar takimit të paraparë për 24 maj në Beograd, i cili mbahet me mbështetje të Ambasadës së Britanisë së Madhe, e ku pritet të marrin pjesë ministrat e jashtëm nga Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina, Serbia dhe Kosova, Daçiqi ka vlerësuar se ky është provokim dhe se askush nuk e ka njoftuar lidhur me këtë tubim.

Ai tha se “thirrja për këtë takim në Beograd i ka ardhur nga Prishtina”.