Daçiq: Prishtina pësoi debakël, nuk e di nëse tani prapë do ta rrisin taksën ndaj Serbisë

Kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, mosanëtarësimin e Kosovës në INTERPOL e ka cilësuar fitore të Serbisë.

Lajme

20/11/2018 12:01

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se mosanëtarësimi i Kosovës në INTERPOL është fitore e Serbisë dhe popullit serb, transmeton lajmi.net.

Në një konferencë të përbashkët me presidentin Aleksandar Vuçiq, Daçiq tha se votimi i sotëm për Kosovën dëshmoi se pa një marrëveshje me Serbinë, nuk mund të bëhet asgjë me forcë.

Tutje Daçiq në këtë konferencë ka thënë se me kohë e ka paralajmëruar Kosovën që të mos e dorëzoj kërkesën e saj për anëtarësim në INETRPOL.

“Unë iu kam thënë që mos e dërgoni kërkesën sepse rezultati i votimit do të jetë i turpshëm”, u shpreh Daçiq në këtë konferencë, transmeton më tutje lajmi.net.

Sipas tij, as mbështetja e Asutrisë dhe as e asnjë vendi nuk e ndihmoi Kosovën që të bëhet anëtare e INTERPOL-it.

Daçiq po ashtu deklaroi se kjo është një fitore ndërkombëtare, por që ai ka thënë se nuk e di se si do të reagojë Prishtina pas kësaj humbje nëse do t’i rris taksat për Serbinë.

“Sa më përket meje, Prishtina ka pësuar një debakël. Unë dua ti përgëzoj të gjithë ata që kanë qenë pjesë e bisedimeve. Nuk e di tani se si do të reagojë Prishtina, a do të rrisin taksat përsëri?”, tha Daçiq, transmeton më tutje lajmi.net.

Ndryshe, Kosova nuk arriti që të anëtarësohet në INTERPOL pasi që nuk kishte vota të mjaftueshme. Kosova në raundin e dytë arriti që t’i siguroj 68 pro dhe 51 kundër dhe 16 abstenime. /Lajmi.net/