Daçiq: Ky është qëllimi pse Kosova dëshiron të anëtarësohet në INTERPOL

Zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Ivica Daçiq, ka zbuluar arsyen përse sipas tij Kosova po dëshiron të anëtarësohet në INTERPOL.

Lajme

23/10/2018 23:30

Zëvendëskryeministri i parë i Serbisë një herësh edhe ministër i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka thënë se qëllimi i vetëm i Kosovës që të anëtarësohet në INTERPOL nuk është lufta kundër krimit, por ai pretendon se Kosova përmes INTERPOL-it po dëshiron t’a promovoj veten si shtet, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, kjo është një situatë e “çmendur”, pasi që siç u shpreh ai, Kosova po bashkëpunon me INTERPOL-in përmes UNMIK-ut dhe kjo siç ka thënë ai, nuk mund të ndodhë.

“Kosova nuk dëshiron bashkëpunim me INTERPOL-in në luftën kundër krimit dhe terrorizmit, por Kosova dëshiron që përmes INTERPOL-it të promovoj veten si shtet i pavarur dhe kështu nuk mund të hyjë në INTERPOL”, ka deklaruar Daçiq.

Në një intervistë për “RTS”-në, Daçiq ka ka folur edhe për themelimin e ushtrisë së Kosovës.

Sipas tij, për aq kohë sa Rezoluta 1244 është në fuqi, Kosova nuk mund të ketë ushtrinë e saj dhe nëse themelohet ushtria atëherë sipas tij, kjo do të ishte në kundërshtim me kushtetutën.

Tutje ai ka thënë se e vetmja forcë e armatosur që lejohet në Kosovë është KFOR-i.

“Rezoluta 1244 thotë se forca e vetme e armatosur në Kosovë dhe Metohi është KFOR-i dhe kjo gjë nuk ka ndryshuar, Rezoluta 1244 akoma është në fuqi. Përderisa është në fuqi kjo Rezolutë, në Kosovë nuk ka dhe nuk do të ketë ushtri tjetër”, deklaroi Daçiq, përcjell lajmi.net.

Ndërkohë sa i përket dialogut në mes të Serbisë dhe Kosovës, ai ka akuzuar Kosovën se nuk po i zbaton marrëveshjet e arritura në Bruksel.

“Kjo është ajo që irriton më së shumti. Shqiptarët janë ata që nuk po i zbatojnë marrëveshjet e arritura dhe kjo gjë po tolerohet. Moszbatimi i marrëveshjeve nga pala shqiptare shkakton jostabilitet në rajon”, ka thënë ndër të tjera Daçiq në këtë intervistë.

Pavarësisht se ish-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Nikki Haley, ka kërkuar që UNMIK-u të largohet nga Kosova, Daçiq ka thënë se kjo nuk do të ndodhë pasi që sipas tij, Kina dhe Rusia nuk do ta lejojnë një gjë të tillë.

Sipas tij kërkesa për largimin e UNMIK-ut nga Kosova nuk është kërkesë direkte e SHBA-së, por e Prishtinës.

Daçiq po ashtu përmendi edhe sulmin e fundit që ndodhi ndaj pelegrinëve serbë në Isgog kur tha se, çdo herë që pelegrinët serbët shkojnë për vizitë në Kosovë në vendet e shenjta serbe, ata sulmohen dhe kërcënohen me armë. /Lajmi.net/