Daçiq akuzon Çitakun për gënjeshtra

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka akuzuar përfaqësuesit të Kosovës, për siç është shprehur, një sërë gënjeshtra.

Lajme

25/08/2016 17:59

Ai ka deklaruar se është e habitshme se si ata që pretendojnë se ndaj tyre u krye gjenocid tani janë në numër katër herë më të madh se para vitit 1999, duke theksuar se janë serbët ata që janë pakësuar në numër, njofton Klan Kosova.

“Përfaqësuesit e Kosovës thonë se kosovarët kane qenë qytetarë të mirë para se Sllobodan Millosheviq të merrte pushtetin, që është fabrikim”.

“Definicioni themelor i gjenocidit është shkatërrimi apo përjashtimi i situatës. Përfaqësuesit e Serbisë kanë thënë se këto gjëra duhen dënuar, por historia nuk thotë se ka pasur ndonjëherë spastrim etnik në Kosovë. Si mund të ketë pasur kur ata që pretendojnë se u spastruan etnikisht janë në numër më të madh se më parë. Ndërsa lokalitetet serbe janë zvogëluar”.

Daciq ka kërkuar që të procedohet me formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, pasi është instrument për mbrojtjen e të drejtave në, siç e ka quajtur ai, Kosovë dhe Metohi.

“Bashkësia e Komunave me shumicë serbe nuk është themeluar ende. Ka pasur një aspiratë për të ofruar mbrojtje sistematike për komunitetin serb për shkak të mungesës së mekanizmave institucional për të mbrojtur interesat e tyre. Vet Joe Biden e tha që është e domosdoshme që kjo çështje të zgjidhet shpejtë si kusht për stabilizimin e rajonit. Dua të them që jo të gjitha problemet janë në veri të Kosovës”.

“Sa i përket kthimit raporti paraqet një pamje fiktive se Prishtina po bën përparime serioze në kthimin e serbëve”.

Në fjalimin e tij në Këshill të Sigurimit të OKB-së, ka thënë se në skenë ka edhe parti që mendojnë bashkimin e të gjitha territoreve me shumicë shqiptare në një shtet.

Ndërkohë, përfaqësues të shteteve tjera, kanë përmendur edhe suksesin e fundit në sport, të xhudistes Majlinda Kelmendi, por edhe kanë kritikuar për veprimet e fundit politike në Kosovë.

Anëtarët e KS të OKB-së, po diskutojnë për raportin e fundit tremujor për Kosovën të sekretarit Ban Ki-moon.

Kosovën po e përfaqëson ambasadorja në SHBA, Vlora Çitaku./lajmi.net