Dacic s’është lider i vendimeve të mëdha

Dusan Janjic thotë se Ivica Dacic, përmes dialogut në Bruksel, po mundohet t'i fshijë gjurmët e periudhës së Milosevic’it, pjesë e së cilës ishte edhe ai. Sipas tij, Serbia s'ka gjasë ta marrë datën për nisjen e negociatave me BE'në para 2 marsit.

Lajme

15/12/2013 17:30

Përbërja aktuale e Qeverisë së Serbisë po mundohet që përmes konstruktivitetit në dialogun që po zhvillohet në Bruksel me Kosovën, të fshijë gjurmët e periudhës së Slobodan Milosevic’it.

Një vlerësim i tillë vjen nga analisti i njohur politik nga Beogradi, Dusan Janjic, sipas të cilit Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, s’mund të cilësohet si një lider i vendimeve të mëdha, por vetëm si një person me një të kaluar të dyshimtë të cilën po mundohet tani ta riparojë.

Në një intervistë për lajmi.net, analisti Dusan Janjic flet për raportin e dikurshme dhe të sotëm të Kryeministrit Ivica  Dacic me Kosovën.

Një ditë më herët, Dacic ka deklaruar se po presioni gjatë bisedimeve në Bruksel është i lartë, ndërsa e ka përshkruar si “vallëzim në tel” momentin kur ka folur për politikat e Serbisë ndaj Kosovës, për “kthimin e Prishtinës në Beograd”, si dhe për nevojën e një politike të mençur.

Për këtë ka një shpjegim Janjic.

“Çdo lider i cili ankohet se ka presion, tregon se ka përkrahje të dobët”.

“Me këtë ai tregon se ka nevojë për argumente të tilla para opinionin publik serb, pasi që ka një përkrahje të kufizuar politike si Shef i Qeverisë. Kështu që, ai nuk ka mbështetjen e shumicës për atë çfarë bën”.

“Unë them se ai nuk është lider i vendimeve të mëdha”.

“Ai njihet si njeri i cili ka qenë pjesë e politikës së Slobodan Milosevicit, në kohën kur Kosova kishte probleme të mëdha. Kështu që, ai së bashku me Zëvendëskryeministrin Vucic kanë vendosur që t’i fshijnë gjurmët e periudhës së Milosevicit në Kosovë”.

Janic nuk i jep poenë politikë Qeverisë aktuale të Serbisë në krye me Dacic’in për dialogun me Kosovën, pasi që, sipas tij, çdo Qeveri do të ishte e detyruar ta përcillte të njëjtën rrugë.

“Qeveria po tërheq potezat të cilët më parë ishin kontradiktorë, duke pranuar atë që është reale në terren”.

“Si Dacic, ashtu edhe çdo Qeveri tjetër, do të duhej që të vazhdojnë rrugën që është trasuar me Marrëveshjen e Brukselit ta arritur më 19 prill të këtij viti”.

Ky analist serb është skeptik nëse Serbia do ta marrë sivjet datën për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Ka qenë një qëndrim i qartë i Gjermanisë, e cila ka përkrahjen e shumicës së shteteve anëtare të BE’së, ku konstatohet që kësaj radhe nuk do të ketë mundësi që Serbia ta marrë datën vetëm në bazë të dëshirës politike”.

“Duhet të qartësohen disa gjëra për të cilën janë marrë vesh, si gjyqësia, policia si dhe formimi i qeverisjes lokale”.

“Nuk mendoj që Serbia do të mund t’i përmbushë këto kushte brenda 10-15 ditëve, kështu që pritet që këto kushte t’i plotësojë gjatë muajit janar, që do të thotë se vendimi për marrjen e datës do të mund të arrihet më 2 mars, atëherë kur do të ketë mundësi të mbahet edhe konferenca ndërqeveritare Serbi-BE”.

“Unë mendoj se Dacic është mjaftë mirë i informuar për këtë dhe po mundohet që të përgatisë opinionin në Serbi që data më e përafërt do të jetë 2 marsi”.