Dacic: Rusia na nevojitet në OKB për Kosovën

Ivica Dacic thotë se Serbia do të ndjekë rrugën drejtë integrimit në BE, por do të ruaj edhe raportet me Rusinë. Sipas tij, Rusia është shtet mik i Serbisë dhe është i vetmi vend që i del krah për çështjen e Kosovës në OKB.

Lajme

29/03/2014 22:55

Kryeministri në ikje i Serbisë, Ivica Dacic, ka thënë sot se interesat shtetëror dhe prioritetet e shtetit serb janë rruga drejtë BE’së, por në të njëjtën kohë, ruajtja e marrëdhënieve të mira me miqtë tradicional.

Është hera e dytë që, Kryeministri në ikje i Serbisë, deklaron qëndrimin e këtij shteti në raport me krizën në Ukrainë, në kohën kur shtetet e perëndimit i kanë vënë sanksione Rusisë për ndërhyrjen ushtarake në Gadishullin e Krimesë.

Dacic thotë se Serbia nuk mund t’ia kthejë shpinën Rusisë, pasi që sipas tij, është i vetmi shtet i cili e mbron Serbinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për çështjen e Kosovës, transmetojnë mediat serbe.

“Ne dëshirojmë të vazhdojmë rrugën tonë drejtë BE-së, kjo do të thotë se ekzistojnë në sërë çështjesh që Serbia duhet t’i përafrojë me ato të BE-së kur është fjala për politikën e jashtme. Mirëpo, në anën tjetër kjo nuk do të thotë se Serbi duhet me çdo kusht t’i dëmtojë interesat shtetëror të saj”.

“Ne duhet të vazhdojmë të kemi marrëdhënie miqësore me Rusinë e cila mbështetë Serbinë në OKB kur është fjala për Kosovën”.