Dacic i kënaqur me zgjedhjet në Kosovë

Në një prononcim për gazetarë nga Jagodina, Dacic ka thënë se është arritur ajo që është menduar kur është miratuar Marrëveshja e Brukselit, e kjo është që për herë të parë të instalohet forma legale dhe legjitime e organizimit të komunave serbe në Kosovë.

Lajme

03/12/2013 20:59

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic ka shprehur kënaqësi me rrjedhën e zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Ai ka thënë se Lista ”Srpska” që e ka pasur mbështetjen e  Qeverisë së Serbisë  ka shënuar rezultate të mira dhe me këtë u tregua se “qytetarët në Kosovë e Metohi kanë besim në Qeverinë e Serbisë”.

Në një prononcim për gazetarë nga Jagodina, Dacic ka thënë se është arritur ajo që është menduar kur është miratuar Marrëveshja e Brukselit, e kjo është që për herë të parë të instalohet forma legale dhe legjitime e organizimit të komunave serbe në Kosovë.

”Lista ‘Srpska’ ka fituar ndoshta më shumë kryetarë komunash nga të gjitha partitë në Kosovë që kanë marrë pjesë në zgjedhje”, ka thënë Daçiq dhe ka shtuar se në të ardhmen bisedimet do të jenë në kuadër të dialogut të mëtejmë mbi policinë, gjyqësinë, hartimin e Statutit të Bashkësisë së komunave serbe (BKS).

Sipas tij, tani komunat serbe duhet të marrin vendime nëse duan të hyjnë në Bashkësinë e komunave, ku secila komunë do të ketë përfaqësuesit e vet, do të zgjedh kryetarin e Bashkësisë, zëvendësin, organin ekzekutiv, dhe do të duhet të definojë çka janë kompetencat e saj dhe ku do të jetë selia.

Ai ka sqaruar se është planifikuar që selia të jetë në Mitrovicë “sepse është e logjikshme që aty të jetë qendra e BKS”. Mirëpo, ende nuk është arritur marrëveshje mbi policinë dhe gjyqësinë dhe në vazhdim e sipër “janë konsultimet mbi formimin e gjykatave serbe”, ka nënvizuar Daçiq duke thënë se “po hapen edhe tema tjera, çështja e pronësisë, e tatimeve, e Kishës ortodokse serbe. Vitin e ardhshëm në Kosovë janë zgjedhjet parlamentare që “është shumë qenësore”.