Dacic i balancuar lidhur me krizën në Ukrainë

Ivica Dacic thotë se Serbia duhet të ketë politikë të balancuar lidhur me Ukrainën. Sipas tij, shteti serb duhet të ketë parasysh integrimin europian, por edhe miqësinë me Rusinë. Thotë se rasti i Kosovës e ka hapur “Kutinë e Pandorës”, lidhur me këtë çështje.

Lajme

23/03/2014 19:12

Kryeministri në ikje i Serbisë, Ivica Dacic, ka deklaruar sot se qëndrimi i Serbisë lidhur me Ukrainën do të jetë i “balancuar”, në përputhje me rrugën europiane, por edhe në miqësi me Rusinë.

Dacic është lideri i dytë serb i cili u deklarua i paanshëm lidhur me krizën në Ukrainë, pas zëvendësit të tij në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vucic.

Ai ka thënë se neutraliteti do të jetë qëndrim edhe i Qeverisë së re të Serbisë, që pritet të formohet.

“Ky do të jetë qëndrimi i Qeverisë së re. Rusia është miku tradicional i Serbisë, ndërsa Serbia është në rrugën drejt integrimit europian. Kështu që, ky qëndrim duhet të jetë i balancuar dhe të jetë në interesin tonë”.

Ai tha se shumë shtete të cilat i “mbajnë leksione” Serbisë për sovranitetin dhe integritetin territorial, kanë qenë të para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Çështja e Kosovës e ka hapur ‘Kutinë e Pandorës’. Ndërsa, ata që e kanë hapur, të mendojnë tani se çfarë do të bëjnë me këtë”.