Dacic e do Edi Ramën në Beograd

Kryeministri i Serbisë shpreson se Italia mund ta ndërmjetësojë një vizite eventuale të Kryeministrit shqiptar Edi Rama në Serbi.

Lajme

14/10/2013 09:41

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic ka shfaqur shpresën se Italia do të ndërmjetësojë në arritjen e një aranzhimi për një vizitë të mundshme të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Beograd.

“Kryeministri Rama ka shprehur dëshirën ta vizitojë Serbinë dhe ne e kemi pranuar”, ka thënë Dacic në një intervistë për agjencinë italiane Ansa, në prag të mbledhjes së përbashkët të qeverive të Italisë dhe Serbisë e cila do të mbahet të martën në Ankona.

Sipas Dacic, Italia mund të ndihmojë në këtë çështje duke u bazuar në marrëdhëniet tradicionalisht të mira me Tiranën.

“Marrëdhëniet ndërmjet shteteve në rajon nuk kanë qenë asnjëherë më të mira”, ka thënë ai duke përmendur partneritetet e reja të cilat i ka arritur Serbia me Slloveninë, Kroacinë, Maqedoninë dhe Bosnjë e Hercegovinën.