Daci: Një pjesë e ikanakëve nga Kosova nuk duan të punojnë tokat e tyre

Nën kryesimin e akademik Nexhat Dacit, kryetar, është mbajtur mbledhje e kryesisë së LDD-së, me kryetarët e degëve. Daci në këtë mbledhje ka thënë se dëshiron të tërhiqet për t’ua lënë drejtimin e partisë njerëzve më të rinj, por kjo u refuzua kategorikisht nga të pranishmit, të cilët sikur u frikësuan të marrin përgjegjësitë për udhëheqje. 

Lajme

28/12/2014 15:36

Duke folur rreth aktualitetit politik, kryetari Daci tha se ky vit për shumëçka mund të vlerësohet i pasuksesshëm në segmentet strategjike, si vit i humbjes së shpresës, veçmas në 6 muajt e fundit. Është e mjerueshme dhe e pakuptueshme që të përsëriten skenat e ikjes së rinisë.

“Ne ishim optimistët më të mëdhenj në botë dhe pas luftës në kohë rekorde u kthyem rreth 1 milionë shqiptarë në Kosovë, ndërsa sot prapë shohim skenat e ikjes”.

“Po harrojmë që prona është e atyre që e punojnë (lëvrojnë) e jo e atyre që e posedojnë me letra. Në fakt, një pjesë e tyre po ikën se nuk duan të punojnë tokën e tyre. Andaj, i bëj thirrje rinisë studentore që të jetë e unifikuar dhe bëj ftesë që rinia të mos shpërngulet e të mos e lëshojë atdheun dhe gjithashtu të mos durojë politikisht. Sepse me mosveprim e kemi shndërruar Universitetin në pjesën më të zymtë tonën”, tha Daci.

Kreu i LDD-së kritikoi edhe bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë për, si tha ai, “dështimin e plotë në krijimin e shtetit”. “Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i japin llogari vendeve të tyre se a janë arsyetu ato mjete të investuara në ndërtimin e e një shteti funksional, sepse dështimi më i madh është në sektorin e drejtësisë dhe zhvillimit ekonomik. Andaj ky dështim është i papranueshëm, sepse këta sektorë janë udhëhequr dhe mbikëqyrur nga bashkësia ndërkombëtare”.

Akademik Daci i njoftoi të pranishmit se do të tërhiqet nga funksioni dhe t’ua lëshojë rrugën të tjerëve, të cilët do të vendosnin më pas për fatin e mëtejshëm të partisë. “Por, reagimi i anëtarëve të kryesisë dhe kryetarëve të degëve ishte i menjëhershëm dhe kategorik. Të gjithë u deklaruan kundër çfarëdo diskutimi për tërheqjen e Nexhat Dacit nga kreu i partisë. Ata insistuan që LDD duhet të vazhdojë funksionimin me Akademik Dacin në krye, ngase është parti e vlerave kombëtare dhe njerëzore”, thuhet në kumtesën për medie të kësaj partie.