Curri rikthen polemikat: Nuk do të veproja si kosovarët që erdhën te Kosova

Mbrojtësi i Prishtinës, Debatik Curri, ka rikthyer polemikat mes Përfaqësueses së Kosovës dhe Kombëtares së Shqipërisë.

Sport

28/08/2016 14:08

Ai ka thënë që po të ishte në vend të kosovarëve që kanë ardhur te Kosova, s’do ta ndërronte kurrë Shqipërinë.

“Kam parë dhe dëgjuar shumë në këtë periudhë në lidhje me këtë temë. Unë mendoj që është zgjedhje e gjithsecilit për të shprehur dëshirën që ka për të luajtur me një ekip të caktuar dhe nuk duhet komentuar kaq gjatë. Rashica, edhe pse një lojtar me perspektivë, nuk ka luajtur shumë me Shqipërinë dhe mendoj se do të ketë më shumë hapësirë për Kosovën”.

“Ai ka parashikuar se mund të ketë më shumë shanse te Kosova dhe nuk mund të gjykohet për këtë. Meha është një lojtar që nuk ka qenë së fundmi pjesë e Shqipërisë dhe në këtë moment, nëse ai ka menduar që mund të ndihmojë sadopak Kosovën, atëherë ka bërë zgjedhje të mirë. E njëjta situatë për Herolindin që me kuqezinjtë thuajse nuk ka luajtur fare. Nëse doni mendimin tim, nuk e shoh aspak problem, pasi për mua Shqipëria dhe Kosova janë një”.

“Nëse do të isha unë, nuk do ta kisha ndryshuar kurrë Kombëtaren shqiptare. Që kur kam qenë fëmijë, e kam mbrojtur këtë flamur dhe e kam dëshiruar gjithmonë, ndaj nuk do të kishte asnjë arsye që të më bënte të refuzoja flamurin kuqezi. Por, sepse gjithmonë ka një të tillë, nuk gjykoj askënd për vendimin që merr”.