Curri: Kosovarët nuk duhet të largohen nga Shqipëria

Debatik Curri është kundër largimit të futbollistëve kosovarë nga Kombëtarja e Shqipërisë.

Sport

07/07/2016 08:44

Debatik Curri do të mbahet mend gjatë si një prej mbrojtësve më të mirë të Kombëtares gjatë dekadës së fundit. Futbollisti kosovar u bë pjesë e kuqezinjve në 2006-ën duke luajtur me Shqipërinë për tetë vite deri më 2014-ën. Ka qenë titullar i padiskutueshëm në shumicën e takimeve që ka zhvilluar duke lënë gjurmë.

Ai është aktivizuar në 44 ndeshje me Shqipërinë duke shënuar edhe një gol. Ashtu si Dragusha, edhe ish-mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare ka mendimin se lojtarët aktualë kosovarë duhet të vazhdojnë të luajnë për fanellën kuqezi.

“Sigurisht, futbollistët do të vendosin vetë nëse do të qëndrojnë apo do të largohen.

Është një vendim krejtësisht personal. Por, për të mos ndikuar negativisht në të dyja përfaqësueset, mendoj se futbollistët kosovarë, që janë aktualisht pjesë e Shqipërisë, duhet të vazhdojnë të qëndrojnë.

Është krijuar një grup cilësor dhe përpara janë edhe eliminatoret e Kampionatit Botëror ku kuqezinjtë mund të bëjnë diçka. Dhe nëse unë do të isha në vend të tyre, pa dyshim që do të zgjidhja të vazhdoja të luaja për Shqipërinë”, shprehet fillimisht ish-mbrojtësi kuqezi, përcjell “Panorama Sport”.

I pyetur në lidhje me të ardhmen e Kombëtares së Kosovës, Curri përgjigjet:

“Është përfolur se përfaqësuesja kosovare do të fuqizohet me lojtarë që do të vijnë nga Shqipëria apo Zvicra. Megjithatë, mendoj se Kosova do të vazhdojë të ketë atë kontingjent lojtarësh, përveç ndoshta 2-3 afrimeve. Nuk duhet të nxitohet, pasi është ende herët. Do të dalin breza të rinj futbollistësh në vazhdim dhe në këtë mënyrë do të krijohet një grup solid për të ardhmen. Ka ende kohë dhe nuk duhet që të ngutet”, tha Curri.

I pyetur nëse ekziston mundësia që të luajë për Kombëtaren e Kosovës, ish-mbrojtësi thotë se ka mbyllur gjithçka. “E kam mbyllur gjithçka për sa u përket përfaqësueseve.

E kam deklaruar dhe nuk do të luaj më për asnjë kombëtare”, e ka mbyllur Curri prononcimin e tij për gazetën “Panorama Sport”. Javët në vazhdim priten me shumë interes për të parë nëse do të ketë lojtarë që do të largohen nga Kombëtarja shqiptare apo jo.

Parashikoni ndeshjet e EURO 2016 dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy Note 4.