Cupcake të kripur me djathë të freskët, vakti i ndërmjetëm ideal

Në mënyrë që të qëndroni larg çokollatave e biskotave, sigurohuni që në orën 17:00 kur mendja ju punon vetëm për të ngrënë, të konsumoni diçka të shijshme por edhe të përgatitur në shtëpi si këto cupcake të kripur që nuk kërkojnë më shumë se 15 minuta kohë për t’u përgatitur

Lifestyle

21/03/2018 14:24

 

Nga Linda Fishta/ Fotografia Armand Habazaj
Përbërësit për 8 copë: 90g miell • ½ bustinë sodë për torta të kripura • 2 vezë të vogla • 50ml vaj luledielli • 50ml qumësht me yndyrë • 50g djathë kaçkavall i grirë në rende • 50g djathë i bardhë i prerë në kubikë të vegjël
Për kremin sipër: 50g djathë i freskët kremoz • 80g panë (që rrihet, por pa sheqer) e ftohtë nga frigoriferi • erba cipollina, bishta qepe të njomë të prerë imët, ose majdanoz dhe kopër.
Përgatitja: Përgatisim në fillim kremin që do t’i vëmë sipër: Bëjmë marengë me panën dhe pastaj e lëmë mënjanë. Në një tas përziejmë me pirun djathin e freskët për ta bërë më kremoz, shtojmë panën që kemi rrahur më parë dhe i përziejmë me kujdes me lugë druri, i rregullojmë për kripë e piper. E hedhim kremin në një qese pastiçerie dhe e lëmë në frigorifer.
Përgatisim cupcaket: Ndezim furrën në 180°.
1.Në një tas, me rrahësin e vezëve me dorë përziejmë vajin, qumështin dhe vezët. Shtojmë këtu miellin dhe sodën që i shtojmë me sitë, por përzierjen tani e bëjmë me spatul ose lugë druri. Shtojmë djathin e grirë dhe djathin e bardhë pa i trazuar shumë dhe i përziejmë edhe këto me spatul.
2.E hedhim brumin nëpër forma të lyera më pare me gjalpë e miell, por duke mbushur vetëm 2/3 e tyre. I pjekim në furrë për 20 minuta dhe bëjmë provën me kruajtëse dhëmbësh e cila duhet të dalë e pastër.
3.Kur cupcakes të jenë ftohur plotësisht, i zbukurojmë sipër me kremin e djathit që kishim lënë në frigorifer dhe i zbukurojmë me erba cipollina ose sipas dëshirës.