Cupcake me karrota

Një recetë e këndshme për t’u ëmbëlsuar.

Lifestyle

30/04/2016 13:47

Përbërësit për 10-12 cupcake mesatarë:

2 vezë të vogla në temperaturë ambienti (100g të dyja),
200g sheqer kaf,
75ml vaj luledielli,
100g miell,
10g sodë për torta,
100 gr karota të grira në rende,
50g arrë kokosi e grirë,
50g arra të grira imët (jo te domosdoshme),
1 lugë të vogël kafeje me kanellë,
një majë luge kripë.

Për kremin që do të përdoret për zbukurim: 100g djathë Philadelphia, 50g gjalpë në temperaturë ambienti, 25g sheqer pluhur. Ngjyrues ushqimorë sipas dëshirës (nuk është i domosdoshëm).

Përgatitja: Ndezim furrën në 170˚. Në një tas hedhim sodën me miellin nëpërmjet një site, shtojmë më pas arrën e kokosit, kanellën, i përziejmë me lugë dhe i lëmë mënjanë. Rrahim me rrahësin elektrik për tre minuta vezët me sheqerin, vajin dhe kripën. Shtojmë më pas karotat e grira dhe arrat.

Hedhim këtu përzierjen e mësipërme të miellit dhe tani i përziejmë me spatul ose lugë druri. Mbushim format e cupcake deri në 3/4 e lartësisë së tyre, pasi kur piqen, fryhen dhe mund të dalin nga format.

I pjekim në furrë për 20 minuta. Ndërkohë përgatisim kremin për zbukurimin e tyre: përziejmë me rrahësin e vezëve gjalpin me sheqerin, më pas shtojmë djathin Philadelphia dhe do të përftojmë një krem të butë.

Nëse dëshirojmë, hedhim pak ngjyrues ushqimor dhe i përziejmë mirë që të marrë ngjyrë uniforme. Hedhim kremin në një qese pastiçerie. Kur cupcake të jenë pjekur dhe ftohur, i zbukurojmë me kremin e mësipërm.