Cufaj: Gjermania është porta për Kosovën drejt BE-së

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj ka deklaruar se Gjermania është porta për Kosovën drejt BE-së.

Lajme

12/12/2018 11:47

Këtë deklaratë ai e bëri për Deutsche Welle me rastin e përmbylljes së një seri aktivitetesh në kuadër të dhjetëvjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Gjermanisë.

“Gjermania mbetet mbështetësi kryesor i Kosovës në Evropë, jo vetëm si partneri kryesor tregtar i Kosovës, por edhe në aspektin politik e kulturor. Për mua kishte një domethënie simbolike edhe vendi i ceremonisë ku festuam dhjetëvjetorin, më 3 dhjetor 2018, në Commerzbank, përbri ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Portës së Brandenburgut dhe karshi Ambasadës Franceze. Për ne Gjermania është porta drejt së cilës kalon rrugëtimi ynë për në BE”, tha ai.

Në Ambasadën e Kosovës në Berlin hapet sot një ekspozitë e piktores Shpresa Faqi me titull “driving to… Botschaft”. Ekspozita përmbyll ciklin e aktiviteteve me rastin e dhjetëvjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Gjermanisë.