Crystanbul, nata e hidhur e Liverpoolit

Liverpool ishte në festë, por në fund e mbylli me lot ndeshjen kundër Crystal Palace. Dueli ku Reds udhëhoqën 3:0, e në fund u ndalën në barazim 3:3, ka zgjuar krahasime me finalen e Ligës së Kampionëve 2005 në Stamboll.

Sport

06/05/2014 13:55

Tifozët e Liverpoolit shpërthyen në festë kur Luis Suarez shënoi për epërsinë 3:0 ndaj Crystal Palace të hënën mbrëma, por pjesa tjetër e ballafaqimit ishte epilog i paimagjinueshëm.

Festa u shndërrua në dëshpërim derisa ekipi i menaxherit Brendan Rodgers lejoi kundërshtarin që të bëjë një rikthim sensacional duke barazuar rezultatin në 3:3.

Suarez filloi të qajë pas ndeshjes pasi Liverpool e lëshoi fitoren nga duart, dhe shumë tifozë në tribuna, i ndanë emocionet e tyre njësoj sikurse sulmuesi uruguaian.

Tifozët nuk mund të besonin atë që panë, Liverpool dukej se po shkonte drejt një fitoreje bindëse, e në fund u kthye nga Londra jugore me vetëm një pikë.

Ndeshja, e quajtur si Crystanbul, ngjashëm me rikthimin e Liverpoolit në finalen kundër Milanit në Ligën e Kampionëve më 2005 në Stamboll, ishte një ankth i vërtetë për Reds.

Liverpool ende udhëheq, por titulli tani është në duart e Manchester Cityt që ka një pikë më pak se Reds, por një ndeshje më pak të zhvilluar dhe golaverazh superior.