Çrrënjoseni krimin e korrupsionin

Eurodeputeti Eduard Kukan vlerëson zhvillimet pozitive në Kosovë, por këtrkon që krimi duhet të çrrënjoset dhe lufta kundër korrupsionit duhet të vazhdojë. Thotë se dështimi i shpeshtë i seancave në Kuvendin e Kosovës është brengosës.

Lajme

30/10/2013 18:30

Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin, Eduard Kukan, deklaroi në Prishtinë, se në periudhën e fundit janë shënuar zhvillime pozitive në Kosovë, por edhe veprime që kanë brengosur Parlamentin Europian, siç është dështimi i shpeshtë i seancave të Kuvendit.

Kukan i bëri këto komente në takimin e gjashtë ndër-parlamentar ndërmjet Kosovës dhe Parlamentit Europian, në të cilin do të diskutohet mbi përparimin e Kosovës drejt integrimeve europiane si dhe procesin e përmbushjes së reformave të domosdoshme për këtë rrugëtim.

“Në periudhën e fundit në Kosovë ka pasur zhvillime pozitive, duke nisur nga bisedimet me Beogradin, përparime në agjendën europiane dhe disa vendime të rëndësishme që janë marrë në punët e brendshme”.

“U bëj thirrje autoriteteve vendase që të mos i lëshojnë këto raste dhe t’i shfrytëzojnë ato për të ecur përpara”.

Por, Kukan ka shprehur brengosje për dështimin  e shpeshtë të seancave të Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ndërkaq, ka thënë se Kuvendi ka funksionuar mirë, deri kohëve të fundit, kur ka filluar fushata parazgjedhore për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

“Palët janë pajtuar se Kuvendi duhet ta kryejë edhe më fuqishëm rolin ligjvënës dhe atë mbikëqyrës ndaj ekzekutivit të vendit dhe për domosdoshmërinë e pranisë së kabinetit qeveritar në seanca, të cilët duhet t’u përgjigjen çështjeve që ngrenë deputetët si shqetësime të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

Kukan dhe Krasniqi, sipas një njoftimi të Kuvendit, janë pajtuar gjithashtu se zgjedhjet e lira dhe demokratike do të ishin mesazhi më i mirë i Kosovës për  miqtë e saj të shumtë dhe vendet demokratike të botës.

Kukan ka thënë se këto zgjedhje janë një sfidë për Kosovën.

“Një sfidë tjetër e rëndësishme është mbajtja e zgjedhjeve të tre nëntorit. Ju bëj thirrje autoriteteve që të garantojnë qytetarët për të zgjedhur në mënyrë të lirë për kandidatët e tyre”.

Eurdodeputeti Kukan tha se ende ka shumë punë për të bërë, duke nisur nga përmbushja e reformave në sundimin e rendit dhe ligjit, si një nga reformat kryesore që Kosova duhet të nisë.

“Ka edhe shumë punë për t’u bërë. Sundimi i ligjit është një nga reformat që Kosova duhet të ndërmarrë”.

“Gjyqësori duhet të jetë i paanshëm dhe i pavarur”.

“Krimi i organizuar duhet të çrrënjoset, lufta kundër korrupsionit duhet të vazhdojë. Këto janë elementet që duhet të bëhen në një shoqëri të hapur dhe në një sistem demokratik”.

Gjatë këtyre dy ditëve të takimit të gjashtë ndër-parlamentar ndërmjet Kosovës dhe Parlamentit Europian pritet të diskutohet edhe për reformat e sistemit zgjedhor dhe zgjedhjet e ardhshme lokale, forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër dukurive negative, procesin e liberalizimit të vizave dhe bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.