Cristiano ishte i nervozuar për “çështjen Ozil”, tregon mesfushori gjerman

Mesut Ozil dhe Cristiano Ronaldo kanë kaluar disa kohë së bashku, nën ngjyrat e Real Madrid.

Sport

19/11/2018 15:18

Mesfushori turko – gjerman ishte prej lojtarëve që e njihte më së miri portugezin Ronaldo.

Por, e pa pritura ndodhi në vitin 2013, kur Mesut Ozil u largua në drejtim të Arsenal.

Kjo gjë nuk i kishte pëlqyer aspak Cristianos, i cili ishte nevrikosur me drejtuesit e klubit, tregon Ozil.

“Shitja e Ozil është lajm shumë i keq për mua. Ai është lojtari që i di më së miri lëvizjet e mia para golit. Jam i nervozuar me largimin e Ozil” ishin fjalët e Ronaldos, sipas asaj që ka thënë gjermani për mediet angleze, transmeton lajmi.net.

“Në vikend mendoja se do të qëndroja tek Reali, por pastaj kuptova se nuk kisha besimin e trajnerit (Ancelotti) e as të bordit drejtues. Jam prej lojtarëve që kam nevojë për besim, dhe atë e ndjeva tek Arsenal” ka përfunduar Ozil.

Tashmë ish reprezentuesi gjerman është prej lojtarëve bartës të lojës në skuadrën e Arsenal.

Ai e ka gjetur mirë vetën edhe nën urdhrat e trajnerit Unai Emery. /Lajmi.net/