Costa rrezikon Botërorin

Selektori i Spanjës, Vicente del Bosque ka njoftuar se sulmuesi Diego Costa nuk e ka të sigurt pjesëmarrjen në Kampionatin botëror. Gjithçka varet nga rikuperimi i tij nga lëndimi.

Sport

28/05/2014 22:31

Selektori i Spanjës, Vicente del Bosque ka pranuar se sulmuesi Diego Costa nuk e ka të sigurt qëndrimin në ekipin final prej 23 futbollistësh, për Kampionatin botëror.

Ylli i Atletico Madrid është duke u rikuperuar nga lëndimi dhe ende nuk është e sigurt se do ta sanojë atë me kohë, për fillimin e garës në Brazil.

Kurse, Del Bosque duhet ta paraqet listën finale të ekipit, deri më datën 2 qershor, dhjetë ditë para fillimit të Botërorit.

“Nuk e ka të sigurt se do të udhëtojë me ne, duhet të jemi të vëmendshëm”, deklaroi Del Bosque për As.com.

“Kemi ende kohë për të analizuar gjithçka, por jemi në duart e stafit mjekësor”, u shpreh ai. Costa kaloi një edicion të jashtëzakonshëm me Atletico Madridin duke u shpallur kampion i La Ligës.

Ai po ashtu ndihmoi skuadrën e tij të arrijë deri në finale të Ligës së Kampionëve ku megjithatë ata pësuan humbje 4:1 pas vazhdimeve nga Real Madrid.

Costa u zëvendësua në fillim të takimit pasi nuk mund të luante për shkak të problemit që pësoi në ballafaqimin me Barcelonën, në xhiron e fundit në La Ligë.