Costa rikthehet kundër Barcelonës

Sulmuesi i Atletico Madridit, Diego Costa por edhe portieri Thibaut Courtois pritet të jenë të gatshëm për ndeshjen vendimtare për titull të kampionit në La Ligë, kundër Barcelonës, të shtunën në Camp Nou.

Sport

13/05/2014 10:01

Sulmuesi i Atletico Madridit, Diego Costa është duke e fituar betejën e tij për rikuperim për ndeshjen vendimtare për titull të kampionit në La Ligë kundër Barcelonës.

Reprezentuesi spanjoll mungoi në barazimin 1:1 me Malagan të dielën për shkak të një lëndimi në kofshë, por u stërvit në palestër të hënën dhe pritet të përshpejtojë intensitetin e punës në ditët në vazhdim.

Costa punoi së bashku me portierin Thibaut Courtois ndërsa mesfushori Cristian Rodriguez po ashtu synon që të rikthehet sa më parë nga një dëmtim.

Courtois u lëndua në fundjavën e shkuar në Vicente Calderon por pritet të jetë titullar në Camp Nou të shtunën.

Trajneri Diego Simeone beson se edhe Costa do të jetë pjesë e ekipit. “Ai është duke avancuar mirë. Do të shohim se si do të ndihet para ndeshjes”, u shpreh ai.

Nëse është i gatshëm, sulmuesi 25-vjeç, i cili ka shënuar 36 gola në 50 paraqitje për Atleticon këtë sezon, do të luajë në ndeshjen e tij të fundit në La Ligë, para transferimit të pritur në Chelsea.