Costa kërkon falje

Përforcimi i ri i Chelseas, Diego Costa u ka kërkuar falje tifozëve të gjigantit londinez për pjesëmarrjen e tij në fitoren e Atletico Madridit me rezultat 3:1 në gjysmëfinalen e edicionit të kaluar në Ligën e Kampionëve.

Sport

12/08/2014 21:14

Diego Costa u ka kërkuar falje tifozëve të Chelseas ende pa e goditur topin në një ndeshje zyrtare me klubin e tij të ri.

Reprezentuesi spanjoll i cili do të debutojë sonte në Stamford Bridge në miqësoren kundër Real Sociedadit ka shprehur keqardhjen e tij që ishte pjesë e skuadrës së Atletico Madridit që mposhti Chelsean me rezultat 3:1 në gjysmëfinalen e edicionit të kaluar të Ligës së Kampionëve.

“Tani më vjen shumë keq që kam luajtur rol në atë ndeshje që fituam në Stamford Bridge”, deklaroi Costa për ‘Evening Standard’.

“Më kujtohet atmosfera dhe pasioni i tifozëve. Ata qëndruan deri në fund, duke mbështetur ekipin, edhe pse ishte e vështirë që të fitonin pasi ne shënuam dy gola të shpejtë. Më pëlqeu kjo”, u shpreh ai.