Costa kalon testet mjekësore në Chelsea

Sulmuesi i Atletico Madridit, Diego Costa ka kaluar testet mjekësore me Chelsean, dhe do t’i bashkohet gjigantit londinez në transferim me vlerë prej 32 milionë funte.

Sport

04/06/2014 18:14

Diego Costa ka kryer testet mjekësore në Chelsea dhe do të kompletojë transferimin e tij nga Atletico Madrid, për 32 milionë funte, ka njoftuar e përditshmja angleze The Guardian.

Sulmuesi brazilian, i natyralizuar në spanjoll, i cili është anëtar i ekipit të Spanjës që është duke u përgatitur për Kampionatin botëror, është identifikuar nga Jose Mourinho si golgeteri i nevojshëm për të fituar titullin e kampionit në Premierligë.

Gjiganti londinez përfundoi katër pikë prapa kampionit në edicionin e fundit, Manchester City, kryesisht për fajin e burimit për shënimin e golave.

Samuel Eto’o, Fernando Torres dhe Demba Ba kontribuuan me vetëm 19 gola në ligë, ku Eto’o shënoi nëntë prej tyre. Kurse, Costa shkëlqeu me Atleticon duke fituar titullin e kampionit në La Ligë ku realizoi 27 gola.