‘Copë Copë’ solli në Beograd zërat e të mbijetuarave të dhunës – Lajmi.net
‘Copë Copë’ solli në Beograd zërat e të mbijetuarave të dhunës
Autori: Lajmi.net Kulturë/ArteLajmeNacionale 12:39, 2 June 2018
Shfaqja “Copë Copë” kishte mbledhur publikun në Qendrën për Dekontaminim Kulturor, aty kur për tri ditë radhazi publiku nga Beogradi është takuar me artin dhe kulturën e Kosovës, në kuadër të edicionit të pestë të Festivalit “Mirëdita, Dobar Dan”.

Në një formë më të pazakontë shfaqja mblodhi njerëzit rreth vetes.

Mes të bardhës e të kuqes aktorja ecën në hapësirë e lëvizjet i përcjellë pa zë. As kur mundohet të flasë nuk arrin të dëgjohet pasi nuk arrin të nxjerrë zërin. Pas hapave të saj publiku futet brenda për të ndjekur lojën e aktoreve në skenë. “Copë Copë” me tekst të Blerta Zeqirit e regji të Zana Hoxha Krasniqit, ishte një ndeshje e zërave të grave që janë përballur me forma të ndryshme të dhunës, nga njerëz të ndryshëm të familjes dhe jashtë saj. Dhuna psiqike manifestohet edhe përmes zërit të nënës që bijës ia kujton martesën. Meli Qena në personazhin e nënës rri pranë Anisa Ismajlit që vjen në personazhin e së bijës që mbi fytyrë e trup mban një rrjetë të zezë, prej të cilës mundohet të zhveshet. Për nënën martesa nënkupton asgjë më shumë e as më pak se rahatinë e bijës.

Premierën e parë e pati në vitin 2015 dhe si e tillë në çdo reprizë nga atëherë është rifreskuar. Bashkime Sylejmani me rrëfim personal rri pranë aktoreve Anisa Ismaili dhe Qëndresë Kajtazi, Meli Qena, Donikë Ahmeti, Albina Kelmendi.

Në tryezën e rrumbullakët, Anisa Ismajli që vihet në rolin e psikologes ka mbledhur gratë të cilat mes performancës, këngëve të kënduara fuqishëm nga Albina Kelmendi, e rrëfimeve në interaktivitet me njëra tjetrën shpalosin rrëfimet dhe mënyrën se si i kanë mbijetuar dhunës në familje. Bashkime Sylejmani, e mbijetuara e dhunës rri mes aktorëve, me një komunikim origjinal kthen sytë tek përjetimet personale.

Pasi që Zana Hoxha- Krasniqi mes duartrokitjesh u bashkua me aktoret në skenë, ato ndajnë falënderime në tri anët ku ndodhej publiku, mes vete ndajnë dhe përqafime. Zana Hoxha- Krasniqi tha se është ndjerë shumë e vlerësuar nga mirëpritja në Beograd, për të ishte hera e dytë që e sjellë një shfaqje në Beograd kurse hera e parë që prezantohet në Festivalin “Mirëdita, dobar dan”.
“Shfaqja “Copë Copë” paraqet fatet e ndryshme të grave kosovare të cilat me rrëfimet e tyre universale të mbijetesës nga dhuna komunikojnë përtej gjuhës së folur duke komunikuar edhe emocionalisht me publikun. Është një vepër e cila evulon por performohet çdo herë me të njëjtin intensitet sikurse para tre viteve kur është prezentuar fillimisht”, tregoi regjisorja Zana Hoxha Krasniqi.

Anisa Ismajli e cila edhe e nisë e përfundon shfaqjen tha se gjithnjë ndihet mirë në këtë skenë ku ajo ka luajtur për katër herë. Ndërsa tha se ndihet tejet e lumtur që përmes kësaj shfaqje edhe është bërë pjesë e Festivalit “Mirëdita, Dobar Dan”.

”Kjo shfaqje është punuar në proces, janë vizituar strehimoret në Kosovë dhe janë marrë rrëfimet e grave dhe ato janë gërshetuar në këtë shfaqje. Sa herë e japim këtë shfaqje duket sikur premierë pasi që është shumë emocionale dhe sa herë këndon Albina ne rrëqethemi dhe hyjmë në rol”, u shpreh Ismajli për KultPlus.

Albina Kelmendi tha se ndihet e lumtur që edhe mbrëmë arritën t’i përcjellin emocionet e shfaqjes tek publiku.

Pjesëmarrja në këtë shfaqje thotë se i dhuron një eksperiencë krejt tjetër.
“Jam shumë me fat që unë si këngëtare jam zgjedhë që të jem pjesë e kësaj drame që ka bërë bujë të madhe. Unë jam mësuar që ta përjetoj ngjarjen aty për aty ndërsa bashkëpunimi me aktorët ka qenë një ndjenjë shumë e mirë. Jemi munduar t’i zgjedhim disa këngë që nuk janë shumë të dëgjuara por kanë vlerë shumë të madhe”, tregoi Kelmendi për KultPlus.

Performanca është produksion i Qendrës për Art dhe Komunitet – Artpolis, ndërsa është përkrahur nga CFD.
Festivali “Mirëdita, Dobar Dan” sonte mbyllë edicionin e pestë të festivalit me ekspozitën e artistes Eliza Hoxha.
Si frymëzim për themelimin e festivalit ka shërbyer Bekim Fehmiu, aktor i ndjerë shqiptar, kosovar, beogradas, jugosllav dhe botëror, simbol i së kaluarës së përbashkët, së bashku me të gjitha sfidat, arritjet dhe keqkuptimet.

Festivali organizohet nga Integra (Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe Iniciativat Qytetare (Serbi). / KultPlus.com

Fotolajm

Rozana Radi provokon nga pasqyra, shfaq gjoksin më shumë se ç’duhet
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO