Conte flet pas fitores së thellë ndaj skuadrës së Xherdan Shaqirit

Antonio Conte është i kënaqur me fitoren dhe formën pozitive që po kalon Chelsea i tij pas triumfit 5-0 ndaj Stoke City në Premier League të shtunën.

Sport

30/12/2017 23:24

Blutë bënë një start fantastik kur Rudiger zhbllokoi rezultatin që në minutat e para dhe Drinkwater dyfishoi me një supergol nga distanca.

Pedro, Willian dhe Zappacosta shënuan edhe tre gola të tjerë duke e kthyer në një ambient festiv Stamford Bridge në prag të ndërrimit të viteve.

“Sot luajtëm shumë mirë,” shprehet Conte për BBC. “Nisëm shumë mirë dhe shënuam brenda 15 minutave, një tjetër ndeshje pa pësuar gol, ka shumë gjëra pozitive pas kësaj ndeshjeje”

“Por në të njëjtën kohë duhet të vazhdojmë të punojmë fort për t’u përmirësuar, dhe të përgatitemi për një ndeshje shumë të vështirë ndaj Arsenal. Çdo fitore është e rëndësishme për ne”, shton ai, përcjell Telesport.

“Sot, mbyllëm më së miri një vit fantastik, të cilin nuk do e harroj kurrë. Ishte një vit i suksesshëm për klubin, tifozët, lojtarët dhe për mua.

“Për një eksperiencë të parë në kampionat të fitosh titullin nuk është e lehtë, kështu që duhet të falënderoj klubin që më dha këtë mundësi.”