Çollaku: Punësimi sezonal do të parandalonte migrimin ilegal

Për ministrin e Integrimeve, Bekim Çollaku, migrimi ilegal i qytetarëve të Kosovës është i dhimbshëm, por dhe veprim i pakuptueshëm.

Lajme

24/12/2014 00:00

Duke folur në emisionin Interaktiv të KTV-së, Çollaku tha se parandalimi i migrimit ilegal mund të bëhet përmes krijimit të një Taskë Force. Sipas tij, kjo gjë mund të afektojë procesin e integrimeve evropiane dhe liberalizimin e vizave.

“Ashtu siç është prezantuar kemi fluks të shtuar që ëndërrojnë një jetë më të mirë jashtë kufijve të shtetit tonë. Jo vetëm që kemi zbrazje të qytetarëve nga Kosova, por kemi edhe shtim të numrit të njerëzve apo trafikantëve, të cilët po bëjnë një akt kriminal, sepse marrja e parave për dëbimin e qytetarëve është akt kriminal”.

“Ky fenomen është i rëndësishëm për procesin e liberalizimit të vizave, jam munduar që ti jap një fokus të merituar sepse është shqetësuese dhe duhet të merremi që të mos kemi pasoja të mëdha”, tha ai.

Sipas ministrit të Integrimit, themelimi i një Taskë Force është mënyra më e mirë për t iu qasur sa më mirë kësaj çështje.

“Kjo nuk është krizë për momentin, sepse krahasuar me vitin e kaluar, bazuar në shifra jemi më mirë, por mund të shndërrohet në krizë në aspektin e liberalizimin të vizave. Mund të shndërrohet edhe në krizë humanitare, sepse si pasojë e pamundësisë së daljes në destinacionin e dëshiruar, ata mblidhen në kampe”.

“Nesër kemi mbledhje të qeverisë dhe unë do ti propozojë qeverisë që të gjejmë modalitetet adekuate, të koordinohemi dhe kjo duhet udhëhequr nga kryeministri, sepse çështja është delikate, sepse ka të bëjë me liberalizimin e vizave dhe integrimin evropian”.

Ai shtoi se në caktimin e aktiviteteve me të cilat do të merret task Forca, duhet koordinim i agjencive qeveritare, duke theksuar se pret nga ministritë e linjës ide konkrete për parandalimin e këtij fenomeni.

Sipas Çollakut, një ide e mirë për parandalimin e ikjes nga Kosova është edhe arritja e marrëveshjeve me shtetet anëtare të BE-së, për punësimin e kosovarëve për punë sezonale. Ai tha se në një rast të tillë Qeveria e Kosovës do të zotohej që këto marrëveshje të respektoheshin në plotëni.

“Një nga idetë është që të kërkojmë nga shtetet anëtare të BE-së që të nënshkruajmë marrëveshje për punësim sezonal për punë profesionale”.

“Problemi kryesor në këtë çështje është se kjo që po ndodhë është kundërligjore dhe gjithçka tjetër duhet të jetë ligjore dhe e bazuar në marrëveshje dhe nëse kemi marrëveshje qeveria duhet zotuar që ajo duhet zbatuar deri në fund”.

“Nëse kemi përgjigje pozitive nga ana e shteteve me të cilat kërkojmë një marrëdhënie të tillë kontraktuale, ne si qeveri do të marrin obligimet tona që ta zbatojmë marrëveshjen”.

Ministri Çollaku tha se solidarizohet me qytetarët që zgjedhin rrugën e migrimit, por shtoi se të gjithë qytetarët e Kosovës ëndrrat e tyre duhet t’i ndërtojnë në Kosovë.

“E ardhmja dhe mundësia më e mirë e qytetarëve të Kosovës është që të provojnë që ëndrrën e tyre ta ndërtojnë në Kosovë. Ne nuk jemi në vitet e 90-ta. Migrimi, azilkërkimi, ka qenë fenomen i asaj kohe. Zbrazja e vendit 15 pas luftës është e dhimbshme dhe e pakuptimtë”, tha ministri Çollaku.

“Unë solidarizohem me të gjithë ata që ndihen të pashpresë në shtetin e tyre, jam me ta dhe i kuptoj ndjenjat e tyre”.

“Ne të gjithë kemi obligim që të bëjmë punën tonë më mirë. Unë besoj se kjo qeveri do t’i përmbahet zotimeve të dhëna”, tha pos tjerash Çollaku për KTV, transmeton lajmi.net.