Çollaku: Presidenti i gatshëm të raportojë në Kuvend për dialogun

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili ka nisur diskutimet me Serbinë, në atë që po cilësohet si faza e fundit, do të jetë i gatshëm të raportojë në Kuvend mbi ecurinë e këtyre bisedimeve.

Lajme

27/06/2018 14:23

Thaçi në cilësinë e udhëheqësit të kësaj faze dialoguese, pa pëlqimin e Kuvendit të dielën me ndërmjetësimin e  shefes për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Federica Mogherini ka zhvilluar takimin e parë të fazës finale me homologun serb Aleksander Vuçiq.

E për këtë fazë të dialogut, e cila parashihet të përfundojë me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për të dy palët, sipas Bekim Çollakut, këshilltar i presidentit,i pari i vendit është i gatshëm ta raportojë para deputetëve.

“Presidenti i Republikës se Kosovës gjithmonë ka qenë dhe është i gatshëm t’i raportoj Kuvendit të Republikës se Kosovës dhe qytetareve ane, për procesin e dialogut për normalizim te marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Çollaku për lajmi.net.

Ai i pyetur nëse Thaçi do të raportojë pas çdo takimi, ka thënë se për mënyrën e raportimit vendos Kuvendi i Kosovës.

“Frekuencën dhe mënyrën e raportimit duhet ta përcaktoj Kuvendi i Kosovës, ndërsa Presidenti mbetet i hapur për respektuar modalitetet qe mund te përcaktohen nga Kuvendi”, është shprehur Çollaku.

Edhe kryeministri Haradinaj, të martën pas mbledhjes së Qeverisë ka thënë se do të ishte mirë që presidenti të raportojë para Kuvendit për bisedimet me Serbinë.

“Ndoshta do të ishte mirë që t’i raportojë Kuvendit. Pra, sipas bindjes sime, e rëndësishme është përfshirja e Kuvendit në procesin e dialogut. Ne, Qeveria, komunikojmë me Presidencën dhe me presidentin, por është shumë me rëndësi që partitë parlamentare – edhe ato të opozitës, por edhe të komuniteteve – ta kenë një instrument komunikimi dhe ta dinë të vërtetën për dialogun”, theksoi Haradinaj.

Raportim të presidentit para deputetëve ka kërkuar edhe Instituti Demokratik i Kosovës, institut ky që monitoron punën e Kuvendit.

“Pas takimit të së dielës në Bruksel ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, kreu i shtetit  të Kosovës z. Hashim Thaçi duhet t’i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të informojë deputetët rreth përmbajtjes së bisedimeve dhe për hapat e mëtutjeshëm të këtij procesi për të cilat është dakorduar në takimin e mbajtur”, thuhej në komunikatën e KDI-së.

Partitë opozitare dhe Nisma Socialdemokrate e cila është në koalicionin qeverisës, janë shprehur kundër që Hashim Thaçi të jetë udhëheq fazën e dialogut.

Ata kanë thënë se Presidenti nuk mund ta udhëheq dialogun, pasi Kuvendi do të anashkalohej, pasi nuk ka kompetencë për mbikëqyrje të presidentit.

Presidenti me Kushtetutë obligohet një herë në vit të raportojë në Kuvend. Takimi i radhës Thaçi-Vuçiq në Bruksel pritet të mbahet pas dy javësh .P.B /Lajmi.net/