Çollaku: Po ndjehet fundi i dialogut me Serbinë, marrëveshja ka rëndësi vendimtare edhe për BE-në

Shefi i stafit të presidentit Thaçi, Bekim Çollaku, përmes një kolumne të publikuar në mediumin evropian “EurActiv”, ka thënë se ka filluar të ndjehet fundi i dialogut me Serbinë.

Lajme

30/08/2018 16:35

Çollaku ka thënë se kanalet direkte të komunikimit janë të hapura, duke kufizuar eskalimin e panevojshëm të tensioneve, diçka që do të kishte qenë e paimagjinueshme para vitit 2011, kurse perspektiva e njohjes së plotë të Kosovës po rritet dita ditës.

“Përveç zgjidhjes së një konflikti të gjatë midis dy kombeve evropiane, do të ketë edhe përfitime të rëndësishme për ekonomitë e rajonit”, ka pohuar ai.

Sipas Çollakut, të dy palët kanë bërë një rrugë të gjatë dhe ky udhëtim nuk ka qenë i lehtë për asnjë nga palët e përfshira.

“Ashtu si me shumë dialogje ndërshtetërore, shumë shpesh ndihet sikur hapat tonë përpara u pasuan nga disa hapa prapa. Zotimet e fundit të Bashkimit Evropian për rajonin tonë, nga deklarata e Jean-Claude Juncker e vitit 2017 deri te Samiti i Ballkanit Perëndimor në Londër  vetëm në muajin e kaluar, kanë mbajtur në qendër të vëmendjes suksesin tonë të mundshëm, të Kosovës dhe Serbisë, dhe nëpërmjet saj çlirimin e ambicieve dhe të ardhmes së popujve tanë. Dhe tani që po arrijmë në pengesat përfundimtare të këtij dialogu, është jetësore që të gjithë t’i mbajmë përpjekjet tona të përqendruara, sepse është e qartë se kjo gjendje limboje aktuale nuk i shërben interesave të askujt, jo qytetarëve të Kosovës apo të Serbisë dhe me të vërtetë as aleatëve tanë më gjerë në Bashkimin Evropian”, ka theksuar shefi i stafit të Thaçit.

Çollaku ka shtuar se ndihma e BE-së ka ardhur në një kohë shumë të nevojshme dhe përfshirja e tyre ka ndjekur përpjekjet e mëparshme për të arritur një marrëveshje mes dy vendeve.

“Një qasje e re u inicua nga BE-ja, e karakterizuar nga një fokus në çështjet më të vogla, siç është përfshirja e Kosovës në takime të ndryshme rajonale dhe progresi drejt sigurimit të lirisë së lëvizjes midis dy vendeve. Kjo do të thoshte se ne mund të fitonim fitime më të vogla përpara se të merreshim me një çështje të madhe, normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis dy shteteve”, është shprehur Çollaku, duke shtuar se edhe liberalizimi i vizave do ta sjellë Kosovën një hap më afër familjes sonë evropiane.

“Korrigjimi i gjendjes së mëparshme të pabarabartë të Kosovës në krahasim me fqinjët e saj dhe liberalizimi i vizave sjellin përfitime të konsiderueshme ekonomike, duke lehtësuar lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve dhe duke rritur lidhjet mes Kosovës dhe fqinjëve të saj evropianë. Të gjithë këta hapa dhe këto suksese diplomatike dëshmojnë se jemi gati të largohemi nga e kaluara dhe të zëvendësojmë ndarjet dhe barrierat rajonale me bashkëpunimin dhe hapjen. Arritja e një rezultati përfundimtar është gjithashtu vendimtar për BE-në”, ka shkruar Çollaku.

Sipas njeriut më të afërt të Hashim Thaçit, kjo marrëveshje jo vetëm që ka një masë të madhe të peshës në Ballkanin Perëndimor, por ka rëndësi në rritje për BE-në dhe ndikimin e saj si aktor global.

“Në fund të fundit, megjithatë koha po mbaron. Mandati i komisionit aktual përfundon në vjeshtën e vitit të ardhshëm, që do të thotë se fokusi do të zhvendoset drejt zgjedhjeve parlamentare evropiane. Me politikën e sotme globale të mbushur me pasiguri, nuk mund të dimë nëse komisioni i ardhshëm i BE-së do të ketë kohë apo energji të mbetet i angazhuar për të përfunduar fazat përfundimtare të kësaj marrëveshjeje. Tani është koha për të gjithë ata që janë të përfshirë për ta çuar këtë deri në fund”, ka përfunduar Çollaku.