Çollaku: Kosova do të merr liberalizimin e vizave në pjesën e dytë të vitit 2016 (VIDEO)

Ministri për Integrime Evropiane, Bekim Çollaku, beson se shtetasit e Kosovës do të kenë mundësi të udhëtojnë pa viza në shtetet e BE-së, në pjesën e dytë të vitit 2016.

Lajme

25/12/2015 17:37

Në një prononcim për lajmi.net, ministri Çollaku ka thënë se rekomandimi nga BE për përmbushjen e kritereve për këtë proces do të jepet në pjesën e parë të vitit që po vije.

Komisioni Evropian, në raportimin e tyre të fundit për plotësimin e kushteve për liberalizim të vizave, përveç Kosovës, ka vlerësuar punën e edhe dy shteteve tjera, Ukrainës dhe Gjeorgjisë.

Për këtë, ministri Çollaku shpreson që Këshilli Evropian, do t’i fusin së bashku në pako këto tri shtete në rekomandime dhe, si rrjedhojë, edhe data kur do të ndodhë liberalizimi i vizave do të jetë e njëjtë për të gjithë.

“Fakti raporti është publikuar në të njëjtën ditë me Gjeorgjinë dhe Ukrainën, mendoj se është një gjë pozitive. Ne e dimë që Kosova në përmbushjen e kritereve qëndron më mirë se të dyja këto shtete. Por BE jo gjithmonë e shikon gjendjen e kritereve në anën teknike, pasi që në shumicën e rasteve kjo varet edhe nga vullneti politik”.

“Kështu që duke se ka një vullnet të madh politik brenda BE-së për liberalizimin e vizave ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë dhe, nuk do të mungojë ky vullnet as në rastin e Kosovës. Bindja ime është që rekomandimi i vizave do të jepet në të njëjtën periudhë për tri shtetet”, ka thënë Çollaku për lajmi.net.

Ai gjithashtu ka thënë se për të arritur deri te marrja e një vendimi, do të konsultohen tre institucione të BE-së, Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian dhe në fund Këshilli.

“Duke marr parasysh dinamikën brenda tre institucioneve, besoj që rekomandimi do të jepet në pjesën e parë të vitit që vjen, ndërsa zbatimi i këtij rekomandimi që zbatohet me vendim, do të ndodhë në pjesën e dytë të vitit 2016”.

“Këto janë ato periudhat kohore. Nuk mund të flasim me muaj konkret, pasi nuk është në dorën tonë që të vendosim për një gjë të tillë”, është shprehu Çollaku./Lajmi.net

YouTube player