Çollaku i zhgënjyer me mosmiratimin në Kuvend të kushtit të fundit për vizat

Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku shpreh zhgënjimin për mosmiratimin e rekomandimit të Organit të Pavarur Përzgjedhës për emërimin e anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik.

Lajme

15/03/2016 11:53

 

Emërimi i anëtarëve dhe funksionalizimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik ka qenë kriteri i fundit i mbetur në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave.

“Me gjithë respektin dhe mirëkuptimin për pavarësinë dhe vullnetin e deputetëve për vendimmarrje sipas përcaktimit të tyre, dështimi për të funksionalizuar Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik vetëm dy ditë para ardhjes së misionit vlerësues të ekspertëve të Bashkimit Evropian, rrezikon të ndikojë negativisht në raportin vlerësues të këtij misioni”, ka thënë Çollaku për KosovaPress.

Ministri Çollaku fton Kryesinë e Kuvendit dhe grupet parlamentare të ri shqyrtojnë këtë çështje me urgjencë dhe të marrin vendimin e duhur, në mënyrë që edhe ky kriter për liberalizimin e vizave të përmbushet sa më shpejt. /KosovaPress