Çollaku i bindur se këtë vit do të ketë nënshkrim të MSA-së

Ministri i Integrimit Europiane, Bekim Çollaku, ka deklaruar sot se nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA), do të realizohet këtë vit. 

Lajme

09/01/2015 15:24

Këtë deklaratë Çollaku e bëri gjatë një takimi me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ku ndër të tjera u diskutua rreth thellimit të bashkëpunimit në mes këtyre dy institucioneve.

Me këtë rast, Çollaku kërkoi nga ky OEK angazhim të lartë për të mundësuar marrëveshje të punësimeve sezonale për qytetarët e Kosovës në vendet e ndryshme të Bashkimit Europian, si dhe rritjen e shkëmbimit tregtar me vendet e BE-së, pasi sipas tij, këtë do ta mundësojë edhe nënshkrimi i MSA-së që pritet të nënshkruhet këtë vit.

Ndërsa, kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, duke e informuar Ministrin Çollaku për aktivitetet fundit të Odës në kontekst të marrëdhënieve me BE-në, ofroi përkrahjen e plotë dhe u zotua për bashkëpunim në mes të institucionit që ai drejton dhe Ministrisë përkatëse, në kuadër të procesit të Integrimit Europian. /Kosovapress/