Çollaku: Duam një jetë normale si të tjerët

Ministri i Integrimit Evropian (MIE), Bekim Çollaku, ka zhvilluar sot një bashkëbisedim lidhur me rrugën e Kosovës drejt BE-së, me studentë dhe profesorë të Akademisë Diplomatike të Vjenës me rastin e vizitës së tyre në Prishtinë.

Lajme

13/05/2015 16:48

Fillimisht, Çollaku i ka njoftuar me prioritetet e Qeverisë së Kosovës, duke potencuar se Kosova është storie e suksesit për mënyrën e saj të shtetndërtimit, duke qenë njëkohësisht edhe faktor i paqes në rajon.

Sipas një njoftimi për media të MIE-së, Çollaku ka thënë se Kosova ka arritur të konsolidoj institucionet e saja dhe të shënoj arritje konkrete edhe në fushën e agjendës evropiane, duke qenë çdo herë në bashkëpunim me miqtë ndërkombëtarë.

1

Çollaku ka folur me studentët edhe për pritshmërinë e qytetarëve të Kosovës përkitazi me agjendën evropiane e në veçanti për procesin e liberalizimit të vizave.

“Qytetarët tanë kanë të drejtë të udhëtojnë pa viza vetëm në një numër të vogël shtetesh dhe nuk janë të lirë të udhëtojnë nga të donë ashtu si qytetarët e vendeve tjera të Ballkanit të cilët bëjnë një jetë normale. Ne nuk duam të jemi ndryshe prej të tjerëve, ne thjeshtë duam që të bëjmë një jetë normale si gjithë të tjerët”, ka thënë Çollaku, i cili ka shprehur bindjen që brenda këtij viti do të ketë sinjale pozitive për Kosovën në këtë drejtim.

2

Më tej, ai ka shpjeguar edhe rëndësinë që do të ketë për shtetin e Kosovës, nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, sidomos në fushën e rritjes së investimeve të huaja dhe zhvillimit ekonomik.

Po ashtu, ministri i Integrimit i është përgjigjur edhe interesimit të studentëve për shumë çështje që lidhen me agjendën evropiane të Kosovës, procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, luftimin e ekstremizmit të dhunshëm etj.

3