Çollaku: Drita e gjelbër për Liberalizim të Vizave, gjatë këtij viti

Kosova ende nuk merr dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave, edhe pse tani e tre vite ka nisur dialogun për këtë çështje me Bashkimin Evropian. Për anëtarin e Komisionit për integrime Evropiane, Ilir Dedën, kjo zvarritje e liberalizimit të vizave po bëhet për shkak të mosgatishmërisë së BE-së për t’u mundësuar qytetarëve të Kosovës të lëvizin lirshëm.

Lajme

18/07/2015 13:36

Tjetra, sipas deputetit të Vetëvendosjes, është për shkak të mosgatishmërisë së Qeverisë së Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Pas dërgimit të raportit për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave me 5 qershor të këtij viti nga Ministria e Integrimeve Evropiane tek shefi i zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar, në Kosovë këto ditë po qëndron ekipi i ekspertëve faktmbledhës për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

Anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane, Ilir Deda për KosovaPress thotë se nuk di çfarë të presë nga misioni faktmbledhës. Sipas tij, duhet të pritet raporti.

Megjithatë, Ministria e Integrimeve Evropiane është optimiste dhe pret rezultate pozitive nga misioni faktmbledhës i dërguar nga Komisioni Evropian, e që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës të bëhet gjatë këtij viti.

Ministri i Integrimeve, Bekim Çollaku, për KosovaPress thotë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe se çdo zvarritje e mëtutjeshme është e pajustifikueshme. Ai është i mendimit se drita e gjelbër dhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës duhet të jepet gjatë këtij viti.

Se a është ky proces i lidhur me dy proceset e rëndësishme të Kosovës, dialogun dhe me Gjykatën Speciale, ministri Çollaku thotë se në mënyrë të drejtpërdrejt nuk është e logjikshme të jenë të lidhura me këto dy procese por që çdo gjë që është politike në mënyrë indirekte ka pasoja në procese tjera në tërësi. Sipas tij ky vit do të jetë vit i Kovës Evropiane

Ndërkaq, profesori i së Drejtës së Bashkimit Evropian, Avni Mazreku, thotë që deri më tani të gjitha kushtet është dashur të plotësohen, por që ka munguar vullneti politikë i Qeverisë së Kosovës.

Kosova ka nisur dialogun për Liberalizimin e Vizave me BE-në në Janar të vitit 2012, ndërsa në qershor të vitit 2012 ka pranuar zyrtarisht Udhërrëfyesin për Liberalizim të Vizave, me gjithsej 95 kritere dhe 60 rekomandime.