CNN, reportazh mbi tregtinë e skllevërve në Libi

Tregtia e skllevërve nuk është vetëm një e kaluar e errët e historisë globale. Në Libi ajo është realitet. Përmes një reportazhi, media amerikane CNN tregon sesi qenie njerëzore shiten në ankand nga trafikantët.

Bota

14/11/2017 22:36

“400 dinarë, 500, 600, 700… Shitet për 1.200 dinarë”.

Kështu thotë zëri që dëgjohet në një video të siguruar nga CNN, ku ata që shiten nuk janë as makina të përdorura e as mobilje, por dy të rinj me ngjyrë në të 20-at, që reklamohen si djem të fortë të përshtatshëm për punë në fermë.

Pasi panë pamjet rrënqethëse, gazetarët e medias amerikane udhëtuan drejt Libisë për të verifikuar autenticitetin e saj. Përmes kamerave të fshehta u identifikuan një sërë rastesh të personave që dalin nën çekiçin e ankandit, duke u shitur brenda 6 ose 7 minutave.

“A ka njeri nevojë për gërmues? Ky është një burrë i madh e i fuqishëm që gërmon”, thotë një shitës i maskuar, ndërsa të interesuarit ngrenë dorën dhe ofrojnë shifra ekuivalente me 300 apo 400 dollarë.

Brenda pak minutash ka përfunduar gjithçka dhe burrat u dorëzohen padronëve të tyre të rinj. Pas ankandit, CNN takon dy persona të saposhitur, të cilët janë aq të traumatizuar saqë nuk mund të flasin, e janë dyshues për çdokënd.

Çdo vit, dhjetëra mijëra refugjatë mbërrijnë në kufijtë libianë, nga ku nisen drejt Europës për një jetë më të mirë. Shumica e tyre kanë shitur gjithçka për të paguar udhëtimin. Por intensifikimi i përpjekjeve të Rojes Bregdetare libiane për të penguar nisjen e anijeve me emigrantë ka bërë që qindra njerëz të mbeten në duart e trafikantëve.

Këta të fundit janë shndërruar në padronë, ndërsa emigrantët e refugjatët në skllevër. Provat e siguruara nga media amerikane u janë dorëzuar autoriteteve të Libisë, që kanë premtuar nisjen e hetimeve./TopChannel